MPB: Për dy javë 21 kallëzime penale për dhunë familjare

Në dy javët e fundit Ministria për Punë të Brendshme (MPB) ka dorëzuar 21 kallëzime penale për gjithsej 25 vepra penale lidhur me dhunë familjare prej të cilave gjashtë kallëzime janë dorëzuar me procedurë të shpejtuar.

Siç informoi sot MPB-ja, krahas kësaj në rajonin e SPB Shkup janë dorëzuar pesë kallëzime penale për dhunë të bazuar gjinore, prej të cilave tre janë për “rrezikim të sigurisë” dhe dy kallëzime penale për veprën penale “përndjekje”.

Madje, janë shqiptuar pesë masa paraburgim, si dhe një masë “kujdesi” në rajonin e SPB Shkup.

“Pjesa më e madhe e veprave penale lidhur me dhunë familjare janë ‘rrezikim i sigurisë’ – 11 dhe 1- vepra penale ‘lëndim trupor’. Ndërsa, janë regjistruar nga një vepër penale për ‘lëndim të rëndë trupor’, ‘mosekzekutim i vendimit gjyqësor’, ‘privim i paligjshëm nga liria’, ‘tentim për vrasje’ dhe ‘sulm seksual dhe përdhunim’. Për veprën ‘tentim për vrasje’ në SHkup prej para disa ditësh, autori është privuar nga liria dhe po ndërmerren masa intensive për dokumentimin e plotë të tij dhe mbylljen me padi penale përkatëse”, thonë nga MPB-ja.

Sipas të dhënave, SPB Shkup ka dorëzuar pesë kallëzime penale, SPB Kumanovë ka dorëzuar dy, SPB Shtip tre, SPB Ohër katër, SPB Strumicë pesë kallëzime penale, ndërsa nga një kallëzim penal kanë dorëzuar SPB Tetovë dhe SPB Veles.

Gjatë këtyre dy javëve në territorin e gjithë shtetit janë denoncuar 39 ngjarje lidhur me vepra penale me dhunë familjare dhe 63 ankesa lidhur me dhunën familjare.

“Në krahasim me vitet e fundit, është e rëndësishme të potencohet se në vitin 2025 shënojmë trend të rritjes së numrit të masave të shqiptuara ‘paraburgim’ në kuadër të kallëzimeve penale me procedurë të shpejtuar, i cili vazhdon edhe në vitin 2026, posaçërisht pas ndryshimeve ligjore”, thuhet në kumtesën e MPB-së.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit