Sot, në poligonin ushtarak “Krivolak”, do të asgjësohet një sasi e madhe minash dhe mjetesh shpërthyese të sekuestruara para 15 vitesh.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftojnë se, pas plot 15 vitesh, këto mjete do të transportohen nga kazermat “Gjorçe Petrov” drejt poligonit ushtarak “Krivolak” me automjete transportuese – kamionë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut (ARM).
Asgjësimi do të kryhet në prani të Komisionit për shkatërrimin e armëve, pjesëve dhe komponentëve të armëve, municionit dhe materialeve shpërthyese. Procesi do të realizohet nga zyrtarë policorë të Njësisë për zbulimin dhe çmontimin e mjeteve shpërthyese, ekspertë të ARM-së, si dhe piroteknikë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, përmes detonimit të kontrolluar.
“Fakti që ky është rasti i parë i asgjësimit të këtij lloji të minave dhe mjeteve shpërthyese pas plot 15 vitesh, për fat të keq, tregon se më herët siguria e qytetarëve nuk është trajtuar me seriozitetin e duhur. Hapi i sotëm dëshmon qartë se me një qasje të përgjegjshme, përkushtim të vërtetë dhe udhëheqje profesionale, ky segment i sistemit të sigurisë më në fund po vendoset në nivelin që duhej të ishte prej kohësh,” thuhet në njoftimin e MPB-së.





