Padi penale ndaj tre personave për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës dhe trafikim të drogës
Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi penale ndaj tre personave në lidhje me një incident të ndodhur më 7 tetor 2026, rreth orës 20:25, në rrugën “Crnogorska” në Shkup, ku gjatë një aksioni policor u sekuestrua marihuanë dhe një zyrtari policor iu mor arma e shërbimit.
Sipas MPB-së, policia kishte marrë më herët informacione operative se do të kryhej një vepër penale që lidhej me shitblerjen e marihuanës. Për këtë arsye, zyrtarët policorë i dhanë shenjë ndalimi një automjeti të tipit “BMW” me targa të Shkupit.
Kur policët iu afruan automjetit për identifikim dhe kontroll, shoferi e ndezi makinën, goditi një shtyllë dhe në të njëjtën kohë hodhi nga dritarja një qese me marihuanë.
Në atë moment, njëri nga policët nxori armën zyrtare dhe urdhëroi personat të ndalonin, duke u prezantuar si polici. Sipas njoftimit, personi që ndodhej në ulësen e pasagjerit ia mori armën zyrtarit policor, ndërsa shoferi u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policët që ndodheshin në afërsi u vunë në ndjekje të automjetit, i cili lëvizte me shpejtësi të madhe në rrugën “Gjorçe Petrov”, në drejtim të autostradës Shkup–Tetovë. Automjeti nuk iu bind sinjaleve zanore dhe dritore të policisë, ndërsa një zyrtar policor qëlloi edhe tre të shtëna paralajmëruese në ajër.
Gjatë ndjekjes, BMW-ja u përplas me barrierën mbrojtëse të autostradës dhe u rrotullua. Nga automjeti dolën shoferi P.A. (24) dhe pasagjeri E.P. (21), të cilët u privuan nga liria.
Arma e shërbimit u sekuestrua, ndërsa pas kontrollit të terrenit u gjet edhe qesja me marihuanë.
Padi penale ndaj tre personave
Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shkup, Njësia për Krim të Dhunshëm pranë SPB-së Shkup, më 14 tetor 2026, ka paraqitur padi penale ndaj E.P. dhe P.A. për veprat penale:
Pengim i personit zyrtar në kryerjen e veprimit zyrtar, sipas nenit 382 të Kodit Penal.
Prodhim dhe trafikim i paautorizuar i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Ndërkaq, ndaj M.T., për të cilin ekzistojnë dyshime se është i lidhur me rastin, është paraqitur padi penale për veprën që lidhet me prodhimin dhe trafikimin e paautorizuar të drogave narkotike, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Hetim edhe për veprimet e policisë
MPB-ja njofton se për rastin është informuar edhe Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale, i cili po ndërmerr masa dhe aktivitete për të shqyrtuar parregullsitë e mundshme gjatë veprimeve të zyrtarëve policorë.Ora24








