Pas Prokurorisë Themelore Publike edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar në lidhje me aksionin e sotëm në Shkup, Tetovë dhe Kërçovë.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër pesë personave fizikë dhe një personi juridik në lidhje me keqpërdorime në një prokurim publik për zgjedhjen e një kompanie për sigurimin fizik të 14 stacioneve të pagesës të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.
Kallëzimi penal është ngritur kundër XH.B. (54) nga Kërçova, E.R. (56) nga Tetova, E.L. (61) nga Tetova, M.B. (48) nga Shkupi dhe D.Z. (39) nga Tetova, si dhe kundër një subjekti juridik nga Kërçova.
Ndaj ish-menaxherit të kompanisë nga Kërçova dhe personit juridik është hapur hetim për veprën penale “Keqpërdorimi i procedurës për thirrje publike, dhënia e kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat” sipas nenit 275-v të Kodit Penal. Ndërsa për katër të tjerët – ish-drejtorin e ndërmarrjes, një nga nënshkruesit e kontratës dhe dy persona përgjegjës për kontrollin e realizimit të saj – po zhvillohet procedurë për vepra penale që përfshijnë keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimeve zyrtare, si dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare.
Bëhet fjalë për një kontratë të prokurimit publik të lidhur më 08.08.2022, me të cilën menaxheri i agjencisë së sigurimit ishte i detyruar të kryente sigurim fizik të pandërprerë 24/7 për dy vite në të gjitha 14 stacionet e pagesës të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Megjithëse sipas kontratës ishte i obliguar, ai nuk e përmbushi këtë detyrim dhe gjatë gjithë periudhës së kontratës sigurimi fizik është kryer vetëm pjesërisht, kryesisht vetëm në ndërrimin e parë, ndërkohë që ndaj autoritetit kontraktues kishte faturuar shërbime sikur sigurimi të ishte kryer 24/7 gjatë të gjithë periudhës së kontratës, deri në prishjen e saj.MPB me detaje për aksionin e sotëm lidhur me ‘Ndërmarrjen e Rrugëve shtetërore’





