8.8 C
Skopje
Sunday, November 2, 2025

Mos hesht, denonco! Për një të ardhme të drejtë!

Për fat të keq, vendi ynë u rendit në vendin e 88-të sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2024, me një rënie prej 12 vendeve dhe 2 pikë më pak krahasuar me vitin e kaluar. Ky është një sinjal alarmues se korrupsioni vazhdon ta ngadalësojë zhvillimin, ta shkatërrojë shtetin e së drejtës dhe ta minojë besimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve në vendin tonë.

Pa dyshim, korrupsioni nuk është vetëm problem i institucioneve – ai është një realitet me të cilin secili prej nesh është përballur të paktën një herë, në çdo sferë të jetës. Ai e vjedh potencialin tonë, i zbeh mundësitë për zhvillim të ndershëm dhe i poshtëron vlerat e drejtësisë dhe barazisë, që janë themeli i çdo shoqërie demokratike.

Por fakt është se korrupsioni nuk është i pamposhtur. Shumë vende në botë, me këmbëngulje dhe guxim, kanë dëshmuar se mund të bëhet ndryshim i vërtetë dhe afatgjatë. Me solidaritet dhe përgjegjësi qytetare edhe ne mund të ndërtojmë një shoqëri ku drejtësia dhe transparenca do të jenë të pakontestueshme.

Pse të mos e krijojmë atë ndryshim edhe tek ne? Secili prej nesh ka fuqinë të bëjë një ndryshim – me zërin e vet, me guximin e vet, me vendimin për të mos heshtur.

Fushata “0% korrupsion – Hajde të jetë e vërtetë!”, e cila zbatohet përmes projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit” dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, është një thirrje e drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët që të thyejnë murin e heshtjes dhe frikës. Ajo i inkurajon të gjithë që të raportojnë korrupsionin pa frikë nga pasojat e mundshme, sepse raportimi nuk është vetëm detyrë qytetare – është një fitore personale kundër padrejtësisë dhe një mesazh i qartë se nuk do të lejojmë që shoqëria jonë të jetë e robëruar nga lidhjet dhe ryshfeti.

Çelësi për rikthimin e besimit në institucione dhe për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të ndershme është në duart e tua, të miat, të të gjithëve. Pse të heshtim dhe të kemi frikë të qëndrojmë pas të vërtetës? Në një kohë kur çdo zë ka rëndësi, akti ynë i përbashkët i guximit është fillimi i ndryshimit të vërtetë.

Mos prit. Bëje hapin e parë – denonco. Për veten tënde, për familjen tënde, për të ardhmen që të gjithë e meritojmë. Le ta promovojmë bashkë ndershmërinë dhe besimin se e ardhmja mund të jetë më e mirë, më e ndershme dhe më e drejtë.

Mos hesht, denonco për një të ardhme të drejtë! Hajde ta bëjmë “0% korrupsion” një realitet!

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit