Miteva: Është miratuar Programi i punës së Qeverisë për vitin 2026, i cili përcakton qartë prioritetet dhe vizionin për zhvillimin e shtetit

Ju falënderoj për praninë në konferencën e sotme për shtyp. Dua t’ju informoj për një vendim të marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Qeveria miratoi Programin e punës së Qeverisë për vitin 2026, i cili përfaqëson një dokument strategjik, gjithëpërfshirës dhe reformues prej mbi 400 faqesh, që definon qartë prioritetet, dinamikën dhe vizionin për zhvillimin e shtetit në periudhën e ardhshme.

Programi është i strukturuar sipas fushave që përfshijnë kompetencat e pushtetit legjislativ, por edhe të atij ekzekutiv, dhe përfaqëson hartën tonë të qartë për reformat që vijojnë dhe që do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, funksionalitetin e institucioneve, por edhe në perspektivën evropiane të shtetit.

Në lidhje me pjesën legjislative, ose atë që nënkuptojmë si kompetencë të Kuvendit, fokusi është vendosur aty ku shteti ka përgjegjësinë më të madhe, shëndetësia dhe arsimi. Janë parashikuar ligje të reja, bashkëkohore dhe sistemore që rregullojnë arsimin e lartë dhe të mesëm, veprimtarinë kërkimore-shkencore, por edhe shërbimin pedagogjik, si dhe avancimin e statusit dhe zhvillimit profesional të kuadrit mësimdhënës. Këto zgjidhje janë të orientuara drejt cilësisë, aksesueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit arsimor, si themel i zhvillimit afatgjatë.

Paralelisht, Qeveria po e shtyn fuqishëm edhe transformimin digjital, mes tjerash përmes miratimit të Ligjit të ri për faturën elektronike, me të cilin digjitalizimi i procedurave tatimore bëhet shtyllë kyçe e reformës tatimore. Me këtë do të sigurojmë më shumë efikasitet, më shumë transparencë, por edhe më pak barrë administrative për qytetarët dhe për kompanitë.

Reforma në drejtësi mbetet prioriteti ynë i lartë. Në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë janë parashikuar ndryshime të Kodit Zgjedhor, me inkorporimin e plotë të rekomandimeve nga misionet ndërkombëtare, si një sinjal i qartë për përkushtimin ndaj standardeve demokratike, zgjedhjeve të ndershme, por edhe sundimit të ligjit.

Një segment veçanërisht i rëndësishëm, të cilin dëshirojmë ta potencojmë në këtë konferencë për shtyp, është reforma në administratën publike. Janë parashikuar ligje sistemore për shërbimin e lartë drejtues, avancimin e cilësisë në sektorin publik dhe për herë të parë vendosjen e një sistemi unik të pagave në sektorin publik. Bëhet fjalë për zgjidhjen e një problemi shumëvjeçar, ku pagat rregullohen në mënyrë të fragmentuar, shpesh të pakoordinuara dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese. Zgjidhja e re sjell drejtësi, transparencë dhe më e rëndësishmja, pajtueshmëri me Agjendën Reformuese, më saktësisht me hapin 18.

Në pjesën e dytë të Programit, atij që i referohet akteve dhe materialeve për të cilat vendosim ne si Qeveri, janë parashikuar një sërë programesh që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të standardit të jetesës, në fushën e mjedisit jetësor, shëndetësisë, sigurisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.

Për vitin 2026 është planifikuar Plani Operativ për masa aktive për punësim, i bashkërenduar me nevojat reale të tregut të punës, me qëllim rritjen e përfshirjes së personave të papunë dhe integrimin më efikas të kategorive të ndjeshme.

Në kontekstin ekonomik dhe promovues, po hapet një kapitull i ri përmes brendimit nacional të turizmit, ekonomisë dhe shtetit, nën një imazh të qartë, të identifikueshëm dhe bashkëkohor. Kjo është një mundësi e fuqishme që Maqedonia të pozicionohet në mënyrë strategjike para publikut evropian si një destinacion tërheqës turistik dhe një ekonomi e qëndrueshme e hapur, me potencial serioz investimi.
Në shëndetësi, Ministria e Shëndetësisë inicion përgatitjen e Strategjisë për mjekët e rinj 2026–2030, diçka që ka një qëllim të qartë: mbajtjen, motivimin dhe zhvillimin profesional të kuadrit mjekësor. Jemi të vetëdijshëm se në një kohë të mungesës dhe largimit të punonjësve shëndetësorë, kjo strategji do të vendosë mbështetje sistemore, mentorim, por edhe edukim të vazhdueshëm, gjë që në afatgjatë do të thotë një sistem shëndetësor më i fortë dhe më i qëndrueshëm.

Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të theksohet se për herë të parë do të ngrihet edhe Qendra për aftësi digjitale në administratën publike, një instrument kyç për transformimin digjital të shtetit. Programet do të jenë të dedikuara për të gjitha strukturat, që nga ato drejtuese, vendimmarrësit dhe ekspertët e kibernetikës, por edhe për të gjithë kuadrin administrativ, sepse digjitalizimi nuk është një projekt, por për ne përfaqëson një proces afatgjatë.

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar media,

Ky Program është një plan i qartë me vizion, afate dhe përgjegjësi. Ai pasqyron vullnetin politik të kësaj Qeverie për reforma dhe stabilitet, por edhe për një të ardhme evropiane, duke përfaqësuar bazën tonë të fuqishme për vitin në të cilin Qeveria do të japë rezultate.

Ju falënderoj për vëmendjen, mbase edhe për konferencën e gjatë për shtyp, mirëpo programi është vërtet voluminoz, prej 400 faqesh, dhe i njëjti, pas kalimit të procedurave qeveritare, do të publikohet edhe në ueb-faqen e Qeverisë, ku kushdo do të mund ta shohë dhe ta shqyrtojë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit