12.8 C
Skopje
Thursday, October 9, 2025

Miteski: Brenda dy viteve, lista e fëmijëve që presin për në çerdhe do të jetë zero

Kandidati për kryetar të Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, në një intervistë për Radio Lider, theksoi se fokusi i tij është ndërtimi dhe rikonstruksioni i çerdheve, ndërsa premtoi se brenda dy viteve nuk do të ketë më asnjë fëmijë në listë pritjeje për regjistrim në çerdhe.

“Ndaluam ndërtimin e objekteve të reja banimi dhe u përkushtuam maksimalisht në ndërtimin e infrastrukturës për fëmijët. Kemi vënë në funksion një çerdhe dhe një tjetër është në fazën përfundimtare. Për katër vite kemi pasur pengesa totale nga Qeveria – tri prej të cilave nën udhëheqjen e LSDM-së, që nuk na ofroi asnjë mbështetje”, tha Miteski.

Ai theksoi se situata ka ndryshuar me qeverinë e re, e cila sipas tij shpërndan fondet në mënyrë të drejtë dhe i mbështet të gjitha komunat në mënyrë të barabartë.

Duke paralajmëruar kapacitete të reja për fëmijët, Miteski njoftoi se së shpejti përfundon ndërtimi i çerdhes “Izvorçe”, që do të lehtësojë ngarkesën në çerdhen “Srniçka” dhe do të krijojë hapësirë për edhe 200 fëmijë të tjerë.

“Po fillojmë ndërtimin e një çerdheje të re edhe në zonën e Novo Lisiçe, Gorno Lisiçe dhe lagjen Lisiçe, që do të sigurojë kapacitet të mjaftueshëm për të eliminuar plotësisht listën e pritjes,” tha ai.

Miteski shtoi se vizioni i tij është ndërtimi i çerdheve më të vogla në lagje të ndryshme, për të qenë sa më afër familjeve dhe për të lehtësuar jetën e prindërve.

“Do të punojmë për çerdhe të vogla në mikro-lokacione, që prindërit të kenë mundësi t’i çojnë fëmijët pranë shtëpisë së tyre”, përfundoi Miteski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit