Trupi i Inspektimit të Orëmatësve të energjisë elektrike pranë Elektrodistribuimit, i akredituar sipas standardeve ndërkombëtare për testimin metrologjik të orëmatësve, u vizitua sot nga Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, znj. Sanja Bozhinovska.
Ky trup kryen kontrollin e saktësisë së orëmatësve me kërkesë të konsumatorëve, përfshirë testimet e rregullta dhe të jashtëzakonshme, si dhe inspektimet metrologjike të cilësisë dhe funksionalitetit të pajisjeve matëse, me qëllim garantimin e saktësisë, besueshmërisë dhe transparencës në matjen e konsumit të energjisë elektrike.
Vizita e ministres u realizua pas përfundimit të vlerësimit të 13-të të rregullt mbikëqyrës nga Instituti i Akreditimit i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Byroja për Metrologji pranë Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para. Edhe këtë vit u konfirmua se Trupi i Inspektimit të Orëmatësve plotëson në mënyrë të plotë kërkesat e standardit ndërkombëtar MKS EN ISO/IEC 17020.
Gjatë vizitës, Ministrja Bozhinovska, e shoqëruar nga drejtori i Byrosë për Metrologji, z. Sedad Rushani, vëzhgoi nga afër pajisjet moderne laboratorike, përfshirë shtatë stacione testimi të prodhuara nga kompania gjermane EMH, si dhe u njoh me ekipin profesional që çdo ditë siguron testime metrologjike precize dhe transparente.
“Vendi ynë disponon laboratorë shumë të kualifikuar që punojnë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Testimi i saktë i orëmatësve është një segment kyç në krijimin e besimit tek konsumatorët, sepse çdo qytetar duhet të jetë i sigurt se paguan për energjinë që realisht e ka konsumuar. Rezultatet e fundit konfirmojnë profesionalizmin dhe transparencën e Trupit të Inspektimit të Orëmatësve të Elektrodistribuimit,” – deklaroi ministrja Bozhinovska.
Nga ana tjetër, ekipi menaxhues i Elektrodistribuimit theksoi se kompania do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e teknologjisë dhe trajnimin e stafit, për të ruajtur nivelin e lartë të saktësisë dhe objektivitetit në procesin e testimit të orëmatësve sipas standardeve më të larta të cilësisë.
“Tek Elektrodistribuimi investojmë në dije, teknologji dhe sisteme që sigurojnë saktësi dhe objektivitet në procesin e testimit. Çdo detaj është i rëndësishëm – nga pajisjet moderne deri te ekspertiza e ekipit që qëndron pas çdo kontrolli,” – theksoi drejtuesi i kompanisë.
Që nga viti 2012, kur Trupi i Inspektimit u akreditua për herë të parë, Elektrodistribuimi ka arritur ta rifitojë me sukses këtë status çdo vit, duke konfirmuar vazhdimisht profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj standardeve ndërkombëtare.





