Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj publikimeve mediatike për gjoja ndërtimin e një godine banimi në parkingun pranë Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, duke theksuar se brenda Qendrës Klinike “Nëna Terezë” nuk po ndërtohen dhe as nuk planifikohen ndërtesa banimi informon Tetovasot.
Sipas njoftimit, të gjitha ndërhyrjet ndërtimore që po realizohen në këtë zonë kanë të bëjnë vetëm me zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore dhe me funksionimin e institucioneve publike në kuadër të qendrës.
“Sigurojmë opinionin se puna e Klinikës po zhvillohet normalisht dhe qasja për pacientët është plotësisht e garantuar”, thuhet në reagimin e Ministrisë.
Institucioni sqaron gjithashtu se nuk ka kompetencë për lëshimin e lejeve ndërtimore apo për përcaktimin e statusit juridik të parcelave, pasi këto çështje janë në kompetencë të Komunës Qendër dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për urbanizmin dhe kadastrën.TS





