Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi të dielën se është “i kënaqur” me trajtimin e ashpër të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, duke thënë se është drejtpërdrejt përgjegjës për kushtet në këto institucione.
Deklaratat e tij u bënë në një video të publikuar në platformën X, gjatë një bisede me disa gra palestineze të burgosura.
Në video, njëra prej të burgosurave u ankua për kushtet në burg, duke thënë se ato nuk kanë qasje në disa nevoja bazë.
“Kjo është dita jonë e tretë pa bërë dush. Nuk po marrim trajtim mjekësor dhe rrobat tona nuk janë të pastra”, tha ajo.
Në përgjigje, Ben-Gvir tha se kushtet që, sipas tij, kanë ekzistuar më parë në burgje “kanë marrë fund”.
“Ankimi i terroristëve për kushtet në burgje nuk ndikon tek unë”, shkroi ai në postimin që shoqëronte videon.
Kur e burgosura kërkoi përmirësimin e kushteve, Ben-Gvir e refuzoi kërkesën.
Ky nuk është rasti i parë kur ministri izraelit ka vizituar të burgosur palestinezë dhe është përballur me ankesa për kushtet e ndalimit. Në fillim të gushtit, ai iu përgjigj një të burgosure që u ankua për mungesën e kushteve bazë duke i thënë se “burgu nuk është hotel”.
Që nga marrja e detyrës në fund të vitit 2022, Ben-Gvir ka mbështetur politika për ashpërsimin e kushteve të ndalimit për të burgosurit palestinezë. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur akuza për mungesë ushqimi, kujdesi mjekësor dhe trajtim të duhur të të burgosurve.
Sipas raporteve të organizatave palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut, rreth 9 500 të burgosur palestinezë mbahen aktualisht në burgjet izraelite, përfshirë rreth 94 gra dhe më shumë se 350 fëmijë.






