Ky institucion tashmë është përforcuar me 18 mjekë specializantë të cilët janë pranuar dhe tashmë punojnë, ndërsa aktualisht është në proces testimi për 18 punësime të reja: 7 mjekë, 9 infermierë dhe 2 farmacistë të diplomuar.
Gjatë takimit u diskutua për sfidat aktuale, nevojat e spitalit dhe prioritetet për periudhën në vijim. Në fokus ishin përmirësimet infrastrukturore të planifikuara, forcimi me staf mjekësor si dhe furnizimi me pajisje të reja mjekësore me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e këtij rajoni.
– Vizitat e vazhdueshme në terren janë një segment i rëndësishëm i punës sime si ministër. Spitali Klinik në Shtip është një shtyllë e sistemit shëndetësor për rajonin lindor. Së bashku me drejtuesit po punojmë për zgjidhje konkrete ,përmirësimin e kushteve të punës, forcimin e kapaciteteve kadrovike dhe sigurimin e pajisjeve moderne.
E gjithë kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë për përmirësimin e shëndetësisë në të gjithë vendin, deklaroi ministri Aliu dhe shtoi se po punohet intensivisht për forcimin e ndjeshëm të shëndetësisë publike me investime në vlerë prej 205 milionë eurosh, nga të cilat 147.65 milionë euro janë të destinuara për ndërtimin e Spitalit Klinik në Shtip, Fakultetit të Mjekësisë dhe konviktit studentor.
Në kuadër të takimit të punës, drejtori Dr. Zahariev e informoi ministrin Aliu për progresin e arritur gjatë vitit të kaluar. Spitali arriti të ulë borxhin nga pothuajse 190 milionë në 85 milionë denarë, gjë që mundësoi kushte më të mira pune dhe investime të reja në pajisje mjekësore.
Ndër aktivitetet e realizuara janë: riparimi i aparateve diagnostike kyçe (rezonancë magnetike, gastroskopi, kolonoskopi, test stresi dhe aparat rentgeni operativ), rikonstruksioni i parkingjeve dhe hyrjes së spitalit, si dhe rinovimi i plotë i laboratorit klinik.
Aktualisht është në proces adaptimi spitali modular në hapësirë për kontrolle efikase përmes sistemit “Termini Im”, duke rritur kështu qasjen dhe efikasitetin e shërbimeve.
– Projekti ynë me prioritet më të lartë mbetet përfundimi i ndërtimit të spitalit të ri klinik, një proces që tashmë është në zhvillim. Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, po punojmë për qëllimin e përbashkët – ofrimin e shërbimeve shëndetësore moderne dhe të qasshme për të gjithë qytetarët e rajonit lindor, deklaroi drejtori Zahariev.
Në kuadër të vizitës në Spitalin Klinik, ministri Aliu realizoi takim me qytetarët e interesuar që shprehën interes përmes “Kabinetit të Hapur” dhe nga afër i dëgjoi propozimet, idetë dhe sfidat me të cilat përballen. Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve në të gjitha institucionet publike shëndetësore, në mënyrë të barabartë.





