Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmshi, zhvilloi sot takim pune me drejtorin kryesor ekzekutiv të “Central Azia Metals (CAML), Gavin Ferar. Në takimin ishte i pranishëm edhe drejtori për qëndrueshmëri i kompanisë, Ivica Talevski.
Bisedimet u përqendruan në zhvillimin aktual të kompleksit minerar “SASA”, i cili është një nga kompanitë më të rëndësishme në industrinë minerare në vend, si dhe në planet për investime të mëtejshme dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare në punën e qëndrueshme.
Menaxhmenti i kompanisë e informoi ministrin Durmishi për rezultatet e deritanishme të punës dhe potencialin për rritje të mëtejshme, duke përfshirë edhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe përmirësimin e kushteve të punës së të punësuarve. Me këtë rast, u theksua se stabiliteti i vendeve të punës dhe zhvillimi i bashkësisë lokale në Makedonska Kamenica mbeten prioritet kryesor i kompanisë.
Ministri Durmishi theksoi mbështetjen e Qeverisë për të gjithë investitorët që tregojnë vizion dhe përgjegjësi afatgjatë ndaj bashkësisë lokale.
“Me investime të suksesshme si kjo, e forcojmë ekonominë, sigurojmë vende të qëndrueshme pune dhe dërgojmë mesazh të qartë se Maqedonia e Veriut është një destinacion i sigurt dhe tërheqës për investim. Për ne si Ministri dhe Qeveri, çdo vend pune do të thotë standard më i mirë për qytetarët”, tha ministri.
Në takim, bashkëbiseduesit u pajtuan se ishte vendimtar vazhdimi i bashkëpunimit në drejtim të zhvillimit të industrisë minerare duke respektuar standardet më të larta të shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve, si dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
“Central Azia Metals” është kompani e renditur në Bursën e Londrës dhe që nga viti 2017 ka në pronësi minierën e plumbit dhe zinkut “SASA” në Makedonska Kamenicë, ku punojnë rreth 800 të punësuar, ndërsa pagat janë për 60 për qind më të larta se paga mesatare e paguar në vend. Që nga fillimi i investimit deri më sot, kompania ka paguar 95,5 milionë dollarë tatime dhe ka investuar mbi 2,4 milionë dollarë në bashkësinë lokale.