Ministri i Transformimit Digjital i Maqedonisë së Veriut, Stefan Andonovski, mori pjesë në një panel diskutimi në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), ku theksoi rëndësinë e inteligjencës artificiale (AI) dhe digjitalizimit për avancimin e vendit dhe përmirësimin e ekonomisë digjitale përcjell ora24.tv.
Në këtë ngjarje, e organizuar nga Balkan Research Center, ministri theksoi se ekonomia digjitale pritet të kontribuojë me 24.3% të PBB-së globale deri në vitin 2025, duke shtuar se Maqedonia e Veriut duhet të përshpejtojë transformimin e saj digjital për të qëndruar konkurruese.
Ministri theksoi se digjitalizimi mund të sjellë përfitime të mëdha për sektorët kyç si arsimi, shëndetësia dhe administrata publike, duke përmirësuar efikasitetin dhe transparencën, si dhe duke luftuar korrupsionin.
Ai nënvizoi se AI mund të luajë një rol vendimtar në diagnostikimin e hershëm të kancerit dhe arsimin e personalizuar. Gjithashtu, ai bëri thirrje për investime të mëtejshme në arsim dhe zhvillimin e aftësive për fuqinë punëtore të ardhshme.
Gjatë vizitës në IBU, Andonovski u njoftua me ambientet moderne të universitetit, përfshirë laboratorët dhe klinikat e avancuara, si dhe planet e ardhshme për integrimin e AI dhe kodimit në kurrikulat e studimeve të tij. Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Lutfi Sunar, përforcoi mesazhin e ministrit dhe theksoi angazhimin e universitetit për të përgatitur studentët për një botë të udhëhequr nga teknologjia./ora24.tv