Prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë është decentralizimi i shërbimeve onkologjike në vend. Kemi nisur me klinikat dhe institucionet shëndetësore që kanë kuadër dhe infrastrukturë të përshtatshme, deklaroi ministri i shëndetësisë, Azir Aliu, në intervistën për emisionin “360 Gradë” në MRT 1.
“Veçmë kemi reparte funksionale në Manastir dhe Tetovë. Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit ‘8 Shtatori’ – Shkup gjithçka është rregulluar, që do të thotë se procesi administrativ për marrjen e licencës ka përfunduar, dhe vlerësoj se shumë shpejt edhe atje do të mund të ofrojmë shërbime onkologjike në nivel ambulantor. Natyrisht, kolegët e ‘8 Shtatorit’ do të duhet të punojnë edhe pak për të pasur një gamë më të gjerë shërbimesh onkologjike. Por ja, Tetova dhe Manastiri tashmë i kanë këto shërbime. Edhe Shtipi do të jetë, por është ende në fazë të hershme dhe do të nevojiten investime infrastrukturore. Ideja është që pacientëve onkologjikë t’u ofrojmë shërbime më afër rajonit ku jetojnë,” tha ministri Aliu.
Lidhur me informacionet në opinion për mungesë të terapive onkologjike, ministri Aliu theksoi se bëhet fjalë për një problem që paraqitet për shkak të procedurave.
“Terapia mungon për shkak të atyre proceseve që janë të përcaktuara rreptësisht me ligj – nga hapja e procedurës deri te përfundimi i saj – dhe shpesh ndodh që procedurat të mbyllen pa sukses, ndaj duhet të hapet sërish procedura për llojin e ilaçit apo ndonjë shërbim tjetër. Ndërsa arsyeja e dytë janë importuesit. Shpesh ndodh që procedura të ketë përfunduar me sukses, por ai medikament të mos jetë i importuar në vend dhe duhet të presim një ose dy javë, sepse edhe atje ka procedura administrative, që të kompletohen dhe të mund të futet në sistemin shëndetësor,” tha ministri Aliu.
Për të kapërcyer mungesën e terapisë, ministri Azir Aliu theksoi ndryshimin e rregullativës ligjore.
“Ne po ndryshojmë 12 ligje, përfshirë Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, pjesën që i definon këto procese. Do të ketë një pjesë shtesë që në Evropë quhet ‘green line’. Nëse ka mungesë të diçkaje, ekziston një procedurë alternative me të cilën pacienti mund t’i marrë ato shërbime shëndetësore, ndërsa institucioni mund të sigurojë atë ilaç përmes kësaj procedure. Kështu që, gjithçka do të definohet qartë në ligj, dhe mendoj se atëherë do të kemi një pasqyrë më të qartë dhe një infrastrukturë që në kohë reale do të mund të ofrojë shërbime,” deklaroi ministri i shëndetësisë, Azir Aliu, në intervistën për “360 Gradë” në MRT 1.





