Ministri i Mbrojtjes së Republika e Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar sot një takim trilateral me ministrat e mbrojtjes së Kroacia dhe Shqipëria, në margjinat e Forumit të Sigurisë së Mynihut.
Takimi u cilësua si vazhdimësi e partneritetit strategjik dhe vizionit të përbashkët për forcimin e sigurisë rajonale.
“Gjatë këtij takimi u dakorduan hapa konkretë për thellimin dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke e ngritur atë në një nivel më të strukturuar dhe më të fuqishëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në fokus të takimin ishte industria e mbrojtjes dhe standardet e NATO-s.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua industrisë së mbrojtjes, zhvillimit të kapaciteteve prodhuese në përputhje me standardet e NATO-s për municione dhe sisteme të armatimit, si dhe investimeve strategjike që forcojnë vetëqëndrueshmërinë, rrisin ndërveprueshmërinë dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e paqes, stabilitetit rajonal dhe sigurisë më gjerë”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të zhvillojnë këtë vit stërvitjen e parë të përbashkët trepalëshe, që do të jetë në përputhje me konceptin strategjik të NATO-s “dhe objektivave euroaltantike”.
Sipas deklaratës së fushës së mbrojtjes të arritur vitin e kaluar, janë katër fusha kryesore të bashkëpunimit, që përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.
Ky pakt i mbrojtjes thotë se të tri shtetet do të bashkëpunojnë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve më herët gjatë shkurtit zhvilluan një takim ku biseduan për zbatimin e kësaj deklarate.
Deklarata për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar në mars të vitit të kaluar u cilësua si “aleancë ushtarake dhe sulmuese kundër serbëve dhe Serbisë” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Nënshkruesit e deklaratës thonë se ajo nuk është kundër askujt, as ndaj Serbisë, teksa ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha në fund të janarit të këtij viti se e ka ftuar Serbinë që të bëhet pjesë e këtij pakti, por Beogradi nuk i është përgjigjur kësaj ftese.
Kroacia dhe Shqipëria janë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s, aty ku Kosova shpreson të anëtarësohet.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, veç tjerash, Prishtina, Tirana dhe Zagrebi parashohin të bëjnë blerje të përbashkëta të armatimit nga Shtetet e Bashkuara./Telegrafi/



