Në një deklaratë që ka lënë pa fjalë opinionin publik, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka thurur lavde për popullin shqiptar, duke e cilësuar atë si një shtyllë kryesore të shtetit progresiv, përcjell agjencia e lajmeve INA.
“Nga Nëna Terezë te Ferid Murati”
Mickoski ka vlerësuar kontributin historik dhe shkencor të shqiptarëve, duke përmendur emra botërorë si Nëna Terezë dhe nobelisti Ferid Murati. Sipas tij, ky potencial njerëzor është pasuri që e bën Maqedoninë e Veriut një vend më të pasur në sytë e botës.
“Bashkëqytetarët tanë shqiptarë i kanë dhënë shumë njerëzimit. Ky kontribut shihet çdo ditë, që nga sporti dhe kombëtarja e futbollit, e deri te ekonomia, përmes taksave dhe remitancave që mbushin buxhetin tonë të përbashkët,” raportohet të ketë thënë Kryeministri.
Ndryshime në Himn, Stemë dhe Flamur?
Ajo që ka shkaktuar “tërmet” në rrjetet sociale është propozimi i tij i supozuar për reflektimin e elementeve shqiptare në simbolet shtetërore. Mickoski thuhet se ka bërë thirrje që shqiptarët të ndihen pjesë e shtetit edhe përmes himnit, stemës dhe flamurit, si dhe zbatimit të plotë të gjuhës shqipe në të gjithë territorin.
“Sa më shumë që respektojmë dhe garantojmë të drejtat e shqiptarëve, ata do ta duan akoma më shumë këtë shtet, duke mos pasur rezerva se u kanoset diçka e keqe,” citohet të ketë thënë ai.
Kryeministri fillon të mësojë gjuhën shqipe
Mickoski tashmë ka filluar të marrë leksione të gjuhës shqipe për të komunikuar më mirë me bashkëqytetarët e tij dhe për të lexuar literaturë shqipe në origjinal.
SHËNIM: Nëse jeni habitur ose gëzuar nga ky lajm, ju kujtojmë se sot është 1 Prilli – Dita e Gënjeshtrave!



