Sot në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut u mbajt një takim pune ku mori pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe Mohamed Ali Rashed Luta, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Dubait.
Gjatë takimit, kryeministri Mickoski theksoi se prioriteti kryesor i qeverisë është stabilizimi i ekonomisë së vendit, tërheqja e sa më shumë investimeve të huaja direkte dhe mbështetja e investitorëve vendas.
“Në katër tremujorët e fundit kemi arritur një rritje të PBB-së prej 3%, ndërsa në tremujorin e dytë të këtij viti rritja ishte 3.4% reale dhe 7.8% nominale, duke tejkaluar parashikimet e institucioneve ndërkombëtare,” – tha Mickoski.
Ai shtoi se qeveria po punon në përshpejtimin e zhvillimit të ndërtimtarisë, turizmit dhe bujqësisë, veçanërisht në eksportin e produkteve bujqësore.
Mickoski gjithashtu theksoi se në shtatë muajt e parë të këtij viti turizmi ka shënuar rritje prej 15% në numrin e vizitorëve dhe 10% në numrin e netëve të qëndrimit.
“Objektivi ynë është të arrijmë 1.5 milion turistë deri në fund të vitit,” – u shpreh ai.
Në lidhje me financat publike, Mickoski tha se deficiti buxhetor do të jetë më pak se 4%, ndërsa inflacioni pritet të ulet në rreth 4% deri në fund të vitit, me synim që në afat të shkurtër të arrijë në 3%.
Kryeministri nënvizoi se një nga prioritetet kryesore të qeverisë është ndërtimi i autostradave, rrugëve të shpejta, shkollave dhe projekteve të tjera kapitale.
Nga ana tjetër, Mohamed Ali Rashed Luta theksoi se bashkëpunimi mes Dubait dhe Maqedonisë së Veriut është në rritje.
“Tregtia mes tregjeve tona ka arritur 495 milionë dollarë amerikanë gjatë pesë viteve të fundit, duke reflektuar mundësi të reja për rritje dhe bashkëpunim të qëndrueshëm,” – tha Luta.
Ai shtoi se Oda Ekonomike e Dubait do të vazhdojë të punojë për të forcuar lidhjet tregtare dhe për të krijuar investime të përbashkëta, me qëllim që të arrihet prosperiteti afatgjatë për të dyja vendet./ora24/