Kryeministri i Qeverisë, Hristijan Mickoski pret propozim për ministër të Shëndetësisë, për të cilin paralajmëron se do të vlerësohet sipas kualifikimeve të kandidatit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeministri tha se më së voni deri në javën e ardhshme deputetëve do t’u dorëzohen emrat e anëtarëve të Qeverisë, pas tërheqjes së Arben Taravarit nga ASH dhe kuadrove të tij.
“Presim këtë javë, më së voni javën e ardhshme, emrat e anëtarëve të Qeverisë të dihen dhe t’u dorëzohen deputetëve”, deklaroi kryeministri gjatë vizitës së sotme në Dellçevë.
VLEN, potencoi, presin ta mbajnë resorin e shëndetësisë, ndërsa duhet që të mbahet struktura në Qeveri.
“Mendoj se duhet të mbahet kjo strukturë në Qeveri, në të cilën ka funksionuar deri tani, kështu që pres propozim, prandaj të shohim, natyrisht se çfarë kualifikimesh ka propozimi”, deklaroi Mickoski.
Taravari, lideri i një prej krahëve të Aleancës për Shqiptarët, më 15 maj i ka dorëzuar kryeministrit Hristijan Mickoski dorëheqje të parevokueshme nga funksioni ministër i Shëndetësisë, pasi më parë ka paralajmëruar se do të largohej nga koalicioni qeveritar.