Kërkoj ndjesë që në prag të festës së madhe duhej të drejtohem, por ndjej obligim dhe përgjegjësi të njoftoj opinionin.
Si Qeveri, ndjekim vazhdimisht situatën në tregjet e energjisë dhe bëjmë analizat dhe llogaritjet tona me qëllim që të parashikojmë në kohë lëvizjet e çmimeve të naftës dhe benzinës. Sipas këtyre informacioneve, presim që Komisioni Rregullator për Energjetikë të marrë vendim për uljen e çmimeve të derivateve të naftës, gjë që konfirmohet me vendimin e fundit që do të hyjë në fuqi të martën.
Me këtë vendim, çmimi i Eurosuper 95 ulet për 1,5 denarë dhe do të jetë 82 denarë për litër.
Eurosuper 98 ulet për 1,5 denarë dhe do të jetë 84 denarë për litër.
Nafta (Dizeli) ulet për 2,5 denarë dhe do të jetë 95,5 denarë për litër.
Vaji ekstra i lehtë për amvisëri ulet për 3,5 denarë dhe do të jetë 96,5 denarë për litër.
Çmimi i mazutit ulet për 2,084 denarë dhe do të jetë 49,227 denarë.
Këto çmime janë përcaktuar pa uljen shtesë nga ana e OKTA-s për partnerët e saj, e cila është 2 denarë për litër për benzinën dhe 3 denarë për litër për dizelin, që do të thotë se efekti në çmimin përfundimtar do të jetë një ulje shtesë.
Në periudhën e kaluar, Qeveria ndërmori hapa konkrete në këtë drejtim. U miratua vendimi për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për karburantet nga 18% në 10%. Ne mbetemi edhe këtë javë te këto masa, të cilat ndikuan drejtpërdrejt në uljen e çmimeve me pakicë.
Gjithashtu, kemi edhe harmonizimin e akcizës bazuar në lëvizjet në bursat ndërkombëtare (Platts), ku për ne referencë është bursa italiane. Tashmë kemi marrë vendim të qeverisë sipas të cilit Komisioni Rregullator mund të veprojë në lidhje me nivelimin e akcizave.
Mbetemi edhe më tutje shtet që siguron në kohë dhe në mënyrë të sigurt të gjitha sasitë e nevojshme të naftës dhe derivateve të naftës për qytetarët dhe bizneset. Më duhet të përmend se kemi edhe ditë kur konsumi është rritur deri në 30% dhe ditë kur arrijmë deri në 2 milionë litra në ditë, gjë që paraqet rekord absolut. Por kemi sasi të mjaftueshme në pikat e karburantit për ne dhe për qytetarët e vendeve fqinje. Mbetemi vendi me çmimet më të ulëta dhe i vetmi që i ul ato.
Edhe një herë konfirmohet suksesi i politikës qeveritare në këtë krizë më të madhe në histori, madje më e madhe se ato dy të viteve të 70-ta dhe ajo që filloi me luftën në Ukrainë.
Kështu që, me politikat që po ndjekim, arritëm të sigurojmë çmimet më të ulëta në krahasim me fqinjësinë për benzinën dhe derivatet e naftës. Me këto masa, kemi arritur që në 45 ditët e fundit të përballemi me dinjitet me sfidat.
Sfida do të ketë edhe në periudhën e ardhshme; ato sfida do të analizohen në baza ditore.
Dua të uroj festën, Ngjalljen e Krishtit – Pashkët, dhe t’u uroj të gjithë qytetarëve paqe dhe lumturi për ta dhe familjet e tyre.



