Ligjet nga axhenda e reformave, zgjedhja e Avokatit të Popullit, shfuqizimi i qeverisë teknike janë ndër çështjet që kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, do t’i propozojë për takimin e liderëve me njerëzit e parë të partive parlamentare më 14 janar në mesditë në Klubin e deputetëve, për të cilin do të dërgohet ftesë zyrtare sot ose nesër. Mickoski paradite në një deklaratë për media theksoi se prioriteti i tyre nuk janë zgjedhjet, por reformat dhe projektet.
“Kam menduar se me këtë thirrje do të tregonim pjekuri dhe gjerësi dhe në këtë mënyrë do të ishim në gjendje të bashkoheshim si faktorë politikë, të paktën të gjitha ato parti dhe koalicione parlamentare që kanë formuar një grup parlamentar brenda Kuvendit”, tha Mickoski.
Duke komentuar refuzimin për të marrë pjesë në takimin e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe dhe akuzat se po kërkohet alibi për zgjedhje të parakohshme, kryeministri tha se në zgjedhjet e fundit, qytetarët e deklaruan qartë se ku qëndron mbështetja e tyre, ndërsa pak më shumë se një vit më parë ata e deklaruan qartë se cilin opsion politik e mbështesin.
“Për ne, kjo temë është zgjidhur dhe fokusi ynë mbetet ekskluzivisht në reformat dhe përparimin e shtetit dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve”, tha Mickoski.
Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve pas hapjes së kopshtit në Gjevgjeli, kryeministri tha se tema e këtij takimi të lierëve nuk duhet të jetë vetëm Ligji për Qeverinë, gjegjësisht shfuqizim i qeverisë teknike.
Në takimin e liderëve, ai donte të diskutonte edhe për ligjet që janë pjesë e axhendës së reformave dhe që do të jenë në parlament, përfshirë Kodin zgjedhor, pastaj katër ligje të tjera në fushën e gjyqësorit – për prokurorinë publike dhe shërbimet gjyqësore, për prokurorët publikë dhe për Këshillin Gjyqësor.
Sipas tij, opozita është e papërgjegjshme, jokonstruktive dhe joideologjike. Për kryeministrin, mesazhet nga LSDM janë konfuze, ndërsa sjellja është e paqartë. “Deri vonë, ata kërkonin takim të liderëve, ndërsa tani që është një, e refuzojnë atë”, tha Mickoski



