Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se në vend nuk ka migrantë nga Mbretëria e Bashkuar dhe se nuk ekzistojnë negociata për pranimin e tyre. Në emisionin “n’Podium” në Ora4.tv, ai theksoi se akuzat e opozitës për praninë e migrantëve janë të pabaza.
Sipas Mickoskit, nuk ka burim më të besueshëm për këtë çështje sesa deklarata e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në vend, i cili ka konfirmuar se nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë negociata që migrantë nga Britania të pranohen në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se nuk ekzistojnë kampe migrantësh në vend dhe sfidoi publikisht këdo që pretendon të kundërtën të paraqesë prova. Sipas tij, nëse gjendet qoftë edhe një rast i tillë, ai është i gatshëm të dalë publikisht dhe të kërkojë falje.
“Jo vetëm që nuk ka migrantë që ecin nëpër rrugë, siç u pretendua se do të ndodhte në mars apo prill, por as nuk do të ketë,” tha Mickoski, duke akuzuar opozitën se po përhap dezinformata për këtë çështje./Ora24.tv



