Mirëdita Maqedoni nga këtu, nga Davosi.
Edhe një ditë e suksesshme me shumë takime bilaterale. Ditën e nisëm me një takim bilateral me Borjana Krishto, e cila është kryesuese e Këshillit të Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe më pas e vazhduam me shumë takime bilaterale me kompani multinacionale që vërtet kanë peshë të madhe në botën e biznesit.
Kemi pasur një panel të suksesshëm. Sërish diskutuam për dy temat kyçe që janë edhe temat kryesore të samitit të sivjetshëm në Davos, e që janë inteligjenca artificiale dhe gjithçka që e vë në lëvizje atë inteligjencë artificiale — sigurisht qendrat e të dhënave, data qendrat dhe ajo që i vë në lëvizje këto qendra të të dhënave, pra energjia elektrike dhe rryma.
Sërish biseduam me njerëz që kanë peshë reale në botën e inteligjencës artificiale, kompani që janë liderë botërorë në menaxhimin dhe operimin e qendrave të të dhënave, por edhe për sfidat që kjo nënkupton dhe për sa duhet të rritet prodhimi i energjisë elektrike në botë në vitet që vijnë. Nga ana jonë, natyrisht, fola sërish për projektet që janë të rëndësishme për ne — projekte që përfshijnë prodhimin e energjisë elektrike, projekte që përfshijnë përmirësimin e kapaciteteve transmetuese të interkonektorëve që bartin energji elektrike dhe gaz, si dhe gjithçka që përbën një sfidë për ne si Qeveri.
Sot, për herë të parë, para bashkëbiseduesve këtu në panel i prezantova edhe projektet kyçe për ne që do t’i shpallim në periudhën që vjen, e ato janë “Boshkov Most”, “Çebren” dhe “Galishte”.
Jam i bindur se të njejtët tërhoqën vëmendje të madhe te një numër i konsiderueshëm investitorësh, të cilët pas përfundimit të panelit m’u afruan dhe shkëmbyem kontakte. I ftova të vijnë në Maqedoni, t’ua prezantojmë potencialet që kemi dhe mundësitë investuese, dhe jam i bindur se këto projekte do të jenë të suksesshme, do t’i shtojnë vlerë ekonomisë së Maqedonisë dhe do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve maqedonas.
Sot vazhdojmë edhe me një panel tjetër, me prezantimin e mundësive investuese të Maqedonisë para një grupi tjetër investitorësh. Jam i bindur se edhe ky panel do të jetë i suksesshëm.
Na ndiqni, vazhdojmë këtu me qëndrimin tonë në Davos, ndërsa nesër shihemi në Shkup.



