Në paraqitjen e djeshme në televizionin Alfa, kryeminstri Hristijan Mickoski, u ndal te çështja e drejtësisë, duke theksuar se sistemi gjyqësor në vend është pjesërisht i kontaminuar nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, veçanërisht përmes ndryshimeve në Kodin Penal. Sipas tij, disa persona nga pushteti i kaluar mund të thirren në ligje më të favorshme, gjë që, siç thotë ai, përbën problemin më të madh, pasi është krijuar bazë ligjore për vetë-amnisti.
“Në përgjithësi, njerëzit në drejtësi janë njerëz të ndershëm. Ekziston një pjesë e vogël që është e kontaminuar dhe që, për fat të keq, e kontaminon të gjithë sistemin. Këta janë më së shpeshti shërbëtorë partiakë, mbetje të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët luftojnë ashpër që ata që i kanë mbështetur të përfitojnë ndonjë beneficion, pozitë e kështu me radhë”, deklaroi Mickoski.
Sipas tij, ekzistojnë dy momente kyçe që kanë ndikuar në shpërbërjen e drejtësisë. I pari është zgjedhja e gjyqtarëve në Kuvend, në periudhën kur VMRO-DPMNE ishte në opozitë parlamentare, ndërsa i dyti janë ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së.
“E para është ajo zgjedhje e gjyqtarëve në Kuvend, kur u zgjodhën gjyqtarët në Parlament, në kohën kur VMRO-DPMNE ishte në opozitë parlamentare, mendoj se ishte viti 1996. Dhe e dyta është tani, kur qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, para largimit praktikisht miratoi ndryshimet në Kodin Penal dhe fshiu një pjesë të mirë të nenit 353, atë nen famëkeq 353, për dy arsye”, tha Mickoski, duke shtuar:
“E para ishte që të amnistoheshin vetë, dhe arsyeja e dytë ishte se në këtë mënyrë mendonin se do të amnistonin dikë që në atë kohë do të mund t’i shkaktonte dëm partisë më të fortë opozitare të atëhershme, VMRO-DPMNE-së. Në pjesën e parë të qëllimit të tyre ia dolën, në pjesën e dytë nuk ia dolën. VMRO-DPMNE sot është më e madhe se të gjitha partitë politike së bashku.”
Mickoski theksoi se të gjithë ata nga qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së gjithmonë do t’i referohen ligjit më të favorshëm për ta.
“Ata gjithmonë do t’i referohen ligjit më të favorshëm për ta, ndërsa për ta ligji më i favorshëm është ky aktuali tani, kur është fshirë neni 353 paragrafi 5 dhe kur janë fshirë pjesë të tjera të Kodit Penal. Gjithmonë do t’i referohen atij, pavarësisht se çfarë ligji do të miratojmë ne nga tani e tutje dhe çfarë ndryshimesh do të bëjmë. Të gjithë ata nga qeveria e mëparshme, kur të paraqiten në seancë gjyqësore, do të thonë: unë i referohem ligjit që ishte nga ajo periudhë deri në atë periudhë, sepse ai ka qenë në fuqi atëherë. Dhe këtu qëndron problemi më i madh”, theksoi Mickoski.



