Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se dita e sotme zgjedhore në katër komuna kaloi në atmosferë demokratike, të qetë dhe dinjitoze, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe disa sfidave teknike.
Sipas tij, qytetarët e shfrytëzuan lirisht dhe me përgjegjësi të drejtën e votës, duke konfirmuar kapacitetin demokratik të shtetit dhe funksionimin e institucioneve.
Mickoski veçoi fitoren bindëse të VMRO-DPMNE-së në komunën e Mavrovë-Rostushës, ku Oner Jakuposki u zgjodh kryetar komune me mbi 1.000 vota diferencë.
Ai theksoi se kjo fitore nuk është vetëm rezultat lokal, por mesazh i qartë politik se qytetarët vlerësojnë punën konkrete, praninë në terren dhe përgjegjësinë, ndërsa nuk shpërblehen fjalët boshe.
Sipas Mickoskit, me përmbylljen e këtyre zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE ka fituar gjithsej 56 komuna në nivel shtetëror, ndërsa LSDM vetëm 6, çka sipas tij paraqet gjykim të qartë politik nga qytetarët.
Ai e cilësoi rezultatin si debakël të rëndë për LSDM-në, duke shtuar se partia duhet të përballet me të kaluarën e saj dhe të distancohet nga korrupsioni nëse dëshiron të rifitojë besimin e qytetarëve.
Në fund, Mickoski bëri thirrje për skenë politike serioze dhe të përgjegjshme, duke theksuar se stabiliteti i shtetit është mbi çdo interes partiak dhe se VMRO-DPMNE do të vazhdojë, siç tha ai, të punojë për rend, stabilitet dhe zhvillim të vendit.



