Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar sot se pret një takim me Arben Taravarin në orën 17:00 në n Qeverisë për të diskutuar zhvillimet aktuale politike. Sipas tij, Taravari ndodhet përpara një vendimi të rëndësishëm: të qëndrojë me një Qeveri që synon reforma ose të zgjedhë bashkëpunimin me forcat politike që, sipas Mickoskit, “për më shumë se dy dekada e kriminalizuan dhe shkatërruan shtetin”.
“Do të dëshiroja të dëgjoj si mendon z. Taravari për zhvillimet e fundit. Për mua, ka vetëm dy opsione: njëra është kjo Qeveri që ofron reforma, ndryshim dhe rezultate për qytetarët. Tjetra është opsioni i koalicioneve të vjetra, që kanë rrënuar institucionet dhe kanë kriminalizuar shtetin për më shumë se 20 vjet. Nuk shoh ndonjë opsion të tretë”, tha Mickoski.
Kryeministri theksoi se ka një mendim personal pozitiv për Taravarin, duke shtuar se marrëdhëniet e tyre janë të gjata dhe korrekte në politikë, por ai theksoi edhe rëndësinë e mbajtjes së fjalës dhe besnikërisë politike.
“Në politikë, fytyra dhe fjala janë gjithçka. Ose e mban fjalën ose jo. Unë personalisht, të paktën tri herë, kam treguar se e mbaj fjalën, edhe kur ka pasur dilema brenda partisë. Loja pas shpine është e dukshme dhe zakonisht i kthehet atij që e luan”, tha Mickoski.
Ai theksoi se nuk ka ndërmend të lutë askënd për të qëndruar në Qeveri, duke shtuar se ekzekutivi mbetet i qëndrueshëm edhe pa mbështetjen e Taravarit dhe bashkëpartiakëve të tij.
“Me ose pa Taravarin, Qeveria është e fortë dhe stabile. Tani vendimi është i tyre – reformë dhe sundim të ligjit, apo bashkëpunim me forcat që e shkatërruan shtetin. Zgjedhja është e tyre”, përfundoi Mickoski.


                                    



