Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar me aktgjykim të formës së prerë se LSDM ka shpërndarë të pavërteta dhe shpifje të rënda ndaj kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pa prova dhe pa bazë faktike.
Në reagimin e tij publik, Mickoski thekson se vendimi gjyqësor e demaskon modelin politik të LSDM-së, të ndërtuar mbi sulme personale, diskreditime dhe manipulime, e jo mbi ide dhe programe.
Sipas tij, ajo që për vite është paraqitur si “luftë politike”, tashmë është vërtetuar zyrtarisht si shkelje e parimeve të shtetit të së drejtës. Mickoski nënvizon se kritika politike është e domosdoshme, por shpifja dhe gënjeshtra përbëjnë keqpërdorim të hapësirës publike.
Ai thekson se Maqedonia e Veriut ka nevojë për politikë të bazuar në të vërtetën, përgjegjësinë dhe vizionin, duke shtuar se qytetarët do të dëshmojnë se janë më të fortë se manipulimet dhe fushatat e rreme.






