Kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi se vizita e tij në Londër ka qenë jashtëzakonisht e frytshme, me një sërë takimesh të rëndësishme që përfshinë tema kyçe si integrimi evropian, siguria rajonale, migrimi ilegal dhe bashkëpunimi ekonomik.
Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, Mickoski theksoi rëndësinë e ofrimit të garancive nga Bashkimi Evropian për të përparuar procesin e integrimit të vendit, ndërsa kërkoi respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe institucioneve evropiane nga fqinjët. “Kjo nuk është një kërkesë shtesë, por pjesë e një partneriteti të vërtetë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore,” u shpreh ai.
Në fushën e sigurisë, u vu theksi në sigurinë energjetike përmes ndërtimit të interkonektorëve të gazit me Greqinë dhe Serbinë, si dhe rëndësinë strategjike të korridoreve panevropiane 8 dhe 10. “Këto janë projekte të një rëndësie të madhe jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për Evropën dhe sigurinë në krahun jugor të NATO-s,” shtoi ai.
Një temë e veçantë në axhendën e takimeve ishte edhe ajo e migrimit ilegal, ku kryeministri Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut po mbron Evropën nga migrimi ilegal që kalon përmes vendeve anëtare të BE-së. Ai i bëri një ftesë të hapur Mbretërisë së Bashkuar për të bashkëpunuar në mbrojtjen e kufirit juglindor të vendit përmes angazhimit të ekspertëve dhe forcave britanike.
Gjatë qëndrimit në Londër, u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit me një konsorcium amerikano-britanik për ndërtimin e një fabrike në sektorin e industrisë së mbrojtjes me një investim fillestar prej 150 milionë dollarësh, që pritet të krijojë deri në 1,000 vende pune. Sipas planit, investimi pritet të rritet deri në 1 miliard dollarë në fazat e ardhshme. Fabrika do të prodhojë pajisje të standardizuara sipas standardeve të NATO-s, me synim eksportin në tregjet ndërkombëtare dhe te vendet aleate.
“Është e rëndësishme të fitojmë jo vetëm në shtëpi, por edhe në Londër, Bruksel, Paris, Berlin, Romë dhe Uashington. Kudo ku merren vendime që ndikojnë në të ardhmen tonë,” deklaroi kryeministri, duke theksuar se prioritet mbetet mbrojtja e interesave kombëtare dhe përmbushja e qëllimit strategjik për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Mickoski gjithashtu vlerësoi diskutimet e frytshme me liderë të rëndësishëm evropianë, përfshirë kancelarin gjerman dhe përfaqësues të tjerë të vendeve anëtare të BE-së. “Ishte një moment i rëndësishëm për të paraqitur qëndrimet tona, për të dëgjuar vizionin e partnerëve tanë dhe për të ndërtuar mbështetje për rrugën tonë evropiane,” theksoi ai.
Kryeministri përfundoi vizitën duke njoftuar se nesër kthehet në Shkup për të vijuar me aktivitetet për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe për të festuar Ditën e VMRO-së, 23 Tetorin.