Mickoski drejtuar Filipçes: Kur qytetarët do t’ju shohin pas hekurave, atëherë do të besojnë se ka ardhur drejtësia

Advertisement

Shkup, 25 qershor – Një përplasje verbale e ashpër mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, ndodhi në seancën e sotme parlamentare për pyetje deputetësh, ku kryeministri theksoi se mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve buron nga, siç tha, mungesa e drejtësisë dhe përgjegjësisë për ish‑funksionarët.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Filipçes, Mickoski tha se arsyeja pse një pjesë e qytetarëve mendojnë të largohen nga shteti nuk është mungesa e perspektivës, por ndjenja se drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë. “Thoni se çdo i treti planifikon të largohet nga Maqedonia, por e dini pse? Sepse ju shohin ju në Dubai duke u argëtuar me Haris Džinoviq, e jo në burg. Sepse shohin ish‑funksionarë duke shijuar në jahtet e tyre, e jo në burg për të dhënë llogari pse janë aty. Prandaj janë të zhgënjyer njerëzit. Kur t’ju shohin pas hekurave, atëherë do të jenë të lumtur dhe të kënaqur sepse drejtësia ka ardhur”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri shtoi se e pranon përgjegjësinë që, siç tha, ish‑funksionarët ende nuk janë përballur me drejtësinë.

“Unë e pranoj se jam fajtor, që kaluan dy vite dhe ju ende shijoni në jahtet në Paljuri, në vend që të ishit diku tjetër. E pranoj se jam fajtor. Por gjithashtu ju shoh në sy dhe ju premtoj se nuk do t’i zhgënjejmë më qytetarët maqedonas duke parë ish‑funksionarë që shijojnë në jahtet e tyre dhe në meloditë e Haris Džinoviq. Kjo është dëshira e popullit”, tha Mickoski. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit