Kryeministri i RMV-së, Hristian Mickoski njoftoi se më 18 janar niset për në SHBA, që përkon me inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, që do të mbahet më 20 janar.
Mickoski në intervistën për AIM-n thotë se në Uashington do të kërkojë mbështetje nga partneri strategjik për integrime evropiane. Ai thotë se ishin planifikuar shumë takime dhe biseda me drejtues të administratës në Uashington.
Por nuk është e qartë se me cilën administratë. Kjo e Biden do të jetë në largim të plotë, ndërsa ai i Trump duhet të formohet dhe ministrat e emëruar duhet të kalojnë një proces konfirmimi në Senat. Diplomatët e lartë në Departamentin e Shtetit gjithashtu duhet të kalojnë këtë proces. I vetmi zyrtar i lartë në rrethin e Trump që nuk ka nevojë për konfirmimin e Senatit është këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare Michael Waltz.





