19.8 C
Skopje
Monday, September 15, 2025

Mickoski: BDI edhe gjatë kohë do të jetë në opozitë, ende nuk e ka mësuar asnjë mësim

Në fjalimin e tij në ngjarjen për llogaridhënie “Katër vite punë për ty”, para anëtarëve të VMRO-DPMNE-së, kryeministri Hristijan Mickoski foli edhe për opozitën. Duke komentuar bisedat se gjoja BDI do të hyjë në Qeveri pas zgjedhjeve lokale, Mickoski tha se partia e Ahmetit do të qëndrojë gjat në opozitë.

“Një njeri më tha: po e përgatisni BDI-në që t’ju bëhet partner në qeveri. Përgjigjja ime e drejtpërdrejtë është se BDI edhe për një kohë të gjatë do të jetë në opozitë, sepse deri tani nuk ka mësuar asnjë mësim. Ne nuk i vumë në opozitë që ata, pa mësuar asgjë, të kthehen sërish në pushtet. Ata aty e kanë vendin, me shokun e tyre të koalicionit në krim dhe në goditjet kundër Maqedonisë – LSDM-në. Do të jem shumë i qartë dhe shumë preciz: këto zgjedhje nuk do të jenë dera e kthimit të BDI-së në qeveri, dhe intrigat e lojërat nga Zajazi e Reçica e Vogël nuk do të kalojnë”, deklaroi kryeministri dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai theksoi se nuk do të lejojnë të kthehen në të kaluarën.

Maqedonia do t’i thotë jo BDI-së dhe LSDM-së, dhe nuk do të kthehemi në të kaluarën kur bashkë plaçkitnin REK-un, blinin qendra tregtare në mes të Shkupit, nipërit bëheshin milionerë të njohur, luanin futboll nëpër institucione, rrihnin gjoks se sundojnë me Maqedoninë, ndërsa kur u ndryshua pushteti, bënë ikje masive për të mos u përballur me ligjin”, deklaroi kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ai shtoi se, kur flasim për ndershmëri dhe përgjegjësi në politikë, duhet ta zbulojmë edhe të vërtetën për lojërat e ndyra që po përgatiten prapa skenës.

“Më se e qartë është se BDI dhe LSDM kanë një plan të fshehtë, por jo për popullin, por kundër popullit. Ky është një skenar i menduar dhe i koordinuar mes këtyre dy partive – skenar për kaos, për mjegull politike dhe për manipulim. Me inflacion kandidaturash të pavarura dhe lista fantome duan me qëllim ta rrënojnë procesin zgjedhor, ta ngatërrojnë votuesin, ta tallin demokracinë dhe ta turbullojnë pamjen e pastër të disfatës së tyre historike që po vjen. Por prapa kësaj loje nuk qëndrojnë vetëm shtabet partiake. Në këtë synim, shteti i thellë i LSDM-së dhe BDI-së – njerëzit e tyre të shpërndarë në gjyqësor, në komisionin zgjedhor, në institucione – sot janë në koalicion. Koalicion për ta parandaluar disfatën që do t’ua sjellë VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale”, deklaroi kryeministri Mickoski, i cili shtoi se “Këto janë gjëra të njohura mirë, me të cilat jemi mësuar prej tyre. Këto janë matricat e tyre – manipulim, nxitje, mashtrim. Dhe prandaj them se jo vetëm që nuk janë ndryshuar LSDM dhe BDI, por ata duan të dëshmojnë se edhe të pandryshuar mund ta mashtrojnë sërish popullin. Por populli është i mençur dhe me përvojë”.

Ai nënvizoi se “Kjo nuk është demokraci, kjo është mashtrim! Kjo nuk është liri, kjo është diktaturë e mbuluar me fletëvotime”, dhe dëroi porosi për BDI-në dhe LSDM-në.

“Por dua t’ua them qartë: kot e keni! Populli ju ka lexuar. Populli e di se jeni mashtrues politikë, varrmihës të demokracisë, shërbëtorë të krimit dhe të privilegjeve tuaja personale. Dhe pikërisht për këtë arsye, sa më shumë mjegull të krijoni, aq më e fuqishme do të jetë drita e fitores sonë”, tha mes tjerash kryeministri Hristijan Mickoski.

Mes tjerash ai nënvizoi se VMRO-DPMNE është garanci se ky popull do ta kthejë të ardhmen në duart e veta, se do ta kthejë drejtësinë dhe rendin dhe se do ta varrosë pikërisht atë shtet të thellë që 30 vjet e ka mbytur Maqedoninë./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit