Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ndërtimi i autostradës së re paraqet një investim strategjik për të ardhmen e shtetit, duke theksuar se Qeveria është plotësisht e përkushtuar në zhvillimin e infrastrukturës rrugore si një nga prioritetet kryesore.
“Është gjithmonë kënaqësi të jem i pranishëm në ngjarje të tilla, veçanërisht kur bëhet fjalë për realizimin e një ndërtimi siç është kjo autostradë,” u shpreh Mickoski, duke shtuar se pozita gjeografike e vendit duhet të shfrytëzohet si avantazh strategjik.
Ai theksoi se vendi, si pjesë e NATO-s, përmes zhvillimit të korridoreve infrastrukturore jo vetëm që përmirëson lidhshmërinë dhe logjistikën e brendshme, por gjithashtu kontribuon në rritjen e rezistencës dhe sigurisë në rajon dhe në krahun jugor të Aleancës.
Kryeministri shprehu mirënjohje për të gjitha institucionet e përfshira në realizimin e projektit, përfshirë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, zëvendësministren, drejtorin e NPRRSH-së, si dhe Drejtorinë për Çështje Juridike Pronësore, Ministrinë e Financave dhe Kadastrën.
Sipas tij, ky projekt do të sjellë vlerë të shtuar për qytetarët dhe do të përmirësojë ndjeshëm logjistikën në mbarë vendin. Ai siguroi se Qeveria do të bëjë gjithçka që punimet të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara.
“Në periudhën në vijim do ta intensifikojmë edhe më shumë realizimin e projekteve infrastrukturore që e forcojnë rëndësinë gjeostrategjike të shtetit,” përfundoi Mickoski.



