Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian dhe me mjete të siguruara nga Qeveria, Agjencia për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi ka nisur realizimin e një projekti domethënës për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në procesin e transformimit të gjelbër.
Sipas Mickoskit, ky projekt nuk është vetëm një ndërhyrje financiare, por një investim strategjik në të ardhmen e ekonomisë maqedonase. Ai theksoi se përmes projektit do të mbështeten investime që nënkuptojnë më pak mbetje dhe ndotje, përdorim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, ulje të gjurmës së karbonit dhe përdorim më efikas të resurseve natyrore, si dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare ekologjike, të domosdoshme për dalje në tregjet globale.
“Siç e theksojmë shpesh, këto 25 milionë euro nuk janë vetëm një shifër në buxhet. Ato janë investim direkt në kompanitë maqedonase, në konkurrueshmërinë e tyre dhe në të ardhmen e tyre evropiane”, deklaroi Mickoski.
Ai bëri të ditur se qëllimi i projektit është mbështetja e shtetit në përmbushjen e objektivave për neutralitet klimatik, të përcaktuara në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, përmes forcimit të sektorit privat dhe nxitjes së praktikave të qëndrueshme të biznesit.
Në katër vitet e ardhshme, siç informoi kryeministri, do të mbështeten mbi 300 kompani, ndërsa përmes mekanizmave të bashkëfinancimit do të aktivizohen edhe investime shtesë private. Rreth 200 kompani do të përfitojnë mbështetje për përgatitjen dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe punë të qëndrueshme, duke u mundësuar pjesëmarrje në zinxhirët evropianë dhe globalë të furnizuesve.
Vlera e përgjithshme e projektit është 25 milionë euro, prej të cilave 18 milionë euro janë siguruar nga Bashkimi Evropian, ndërsa 7 milionë euro nga Buxheti i shtetit. Nga kjo shumë, 22 milionë euro janë të dedikuara për mbështetje direkte financiare të kompanive.
Mickoski theksoi se transformimi i gjelbër nuk është kosto, por investim në një ekonomi më të fortë, mjedis më të shëndetshëm dhe cilësi më të lartë të jetës për qytetarët, duke nënvizuar se Qeveria mbetet partner i fuqishëm i komunitetit të biznesit dhe promotore e së ardhmes evropiane të Maqedonisë.



