Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, së bashku me deputetë nga koalicionet VREDI dhe ZNAM, e dorëzuam “REZOLUTËN PËR DËNIMIN E MANIPULIMEVE TË OPOZITËS DHE PËR KONFIRMIMIN E POLITIKAVE KUNDËR MIGRIMIT ILEGAL”.
Pas përhapjes së lajmeve të rreme, pavërtetësive dhe manipulimeve nga ana e LSDM-së, VMRO-DPMNE, si parti shtetformuese, përgatiti këtë Rezolutë me të cilën njëherë e përgjithmonë i vendosim pikë temës së trilluar për migrantët nga LSDM-ja.
Më lejoni t’ju prezantoj 9 pikat nga të cilat përbëhet Rezoluta:
-
DËNOHET fushata e rreme dhe veprimi manipulues i partive politike opozitare, me të cilat në opinion publik plasohen pavërtetësi dhe insinuata për ekzistencë të supozuar të marrëveshjeve, politikave ose aktiviteteve që lidhen me pranimin e migrantëve ose ndërtimin e kampeve për migrantë.
-
KONFIRMOHET se as nuk është kërkuar, as nuk është dakorduar dhe as nuk do të lejohet vendosja e kampeve për migrantë, qendrave pritëse apo formave të përhershme të strehimit të migrantëve në territorin e komunave të shtetit, dhe se aktivitete të tilla nuk janë dhe nuk do të jenë pjesë e politikave qeveritare.
-
KONSTATOHET se këto dezinformata përhapen me vetëdije dhe në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht qëndrimeve të qarta dhe të padiskutueshme të institucioneve kompetente, me qëllim krijimin e panikut, prishjen e stabilitetit publik dhe realizimin e interesave afatshkurtra politike në kurriz të sigurisë dhe qetësisë së qytetarëve, gjë që është në kundërshtim me rendin juridik, përfshirë Kodin Penal, Ligjin për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike, si dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
-
REFUZOHEN DHE SHFUQIZOHEN të gjitha aranzhimet, vendimet dhe politikat e Qeverisë së mëparshme të Zoran Zaevit që lidhen me krijimin e kampeve për pranimin dhe kujdesin e migrantëve, të cilat ishin në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore dhe e ekspozonin shtetin ndaj rreziqeve të sigurisë dhe shoqërore.
-
THEKSOHET se marrëdhëniet ndëretnike, stabiliteti, toleranca dhe respekti i ndërsjellë janë vlera thelbësore të shoqërisë dhe se çdo veprim politik i papërgjegjshëm që mund t’i cenojë këto marrëdhënie paraqet kërcënim serioz për kohezionin shoqëror.
-
KONFIRMOHET përkushtimi për një politikë të jashtme parimore, të përgjegjshme dhe të parashikueshme, të bazuar në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ku asnjë proces i jashtëm nuk guxon të jetë në dëm të sigurisë dhe stabilitetit të shtetit.
-
U BËHET THIRRJE të gjitha subjekteve politike dhe aktorëve publikë për përgjegjësi në diskursin publik, respektim të fakteve dhe përmbajtje nga përhapja e gënjeshtrave dhe manipulimeve që mund të shkaktojnë tensione shoqërore dhe të prishin rendin dhe qetësinë publike.
-
KONFIRMOHET se me këtë Rezolutë i jepet fund të gjitha spekulimeve, dezinformatave dhe skenarëve të rremë që lidhen me pranimin e supozuar të migrantëve ose ndërtimin e kampeve, dhe vendoset një politikë shtetërore e qartë, e padiskutueshme dhe e pandryshueshme kundër migrimit ilegal.
-
KJO REZOLUTË hyn në fuqi ditën e miratimit të saj dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Edhe një herë duam të theksojmë se me këtë Rezolutë konfirmojmë se Qeveria dhe Kuvendi kurrë nuk do të lejojnë të negociohet për migrantë.
Qytetarët të jenë të qetë, VMRO-DPMNE kujdeset për sigurinë e popullit.





