Zëvendës kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, morën pjesë sot në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e një ure të re në fshatin Cvetovë njofton ora24.tv
Ky projekt ka qenë një kërkesë e kahmotshme nga banorët e fshatit, të cilët kanë pasur shqetësime për sigurinë e urës ekzistuese, e cila ishte e dëmtuar dhe e pasigurt.
Me mbështetje të Ministrisë së Mjedisit, ura e re do të shërbejë për rreth 1000 banorët e Cvetovës dhe do të eliminojë pengesat për lëvizjen e lirë, veçanërisht gjatë periudhave me shirat e rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar rritje të nivelit të lumit.
Mexhiti theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve jetësore të qytetarëve të kësaj komune, duke përmendur gjithashtu se projekti do të realizohet në disa faza.
Kryetari Sadiku e falënderoi ministrin për mbështetje, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për sigurimin e lëvizjes së qytetarëve dhe për përmirësimin e infrastrukturës. Ministria e Mjedisit ka vazhduar të mbështesë projektet e komunave, duke kontribuar në ngritjen e standardeve jetësore, dhe pritet që gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm të fillojnë realizimin e më shumë projekteve të tilla nëpër komuna të tjera./ora24.tv





