14.8 C
Skopje
Sunday, September 21, 2025

Mexhiti: Shndërrimi i rrugës së Çairçanes në bulevard, prioritet absolut që nga dita e parë e mandatit

 

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur sot se shndërrimi i rrugës së Çairçanes në bulevard modern është një nga prioritetet kryesore që nga dita e parë e mandatit.

Mexhiti, së bashku me kryetarin e BNJVL-së dhe kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, vizituan zonën ku planifikohet ndërtimi i Bulevardit “Cvetan Dimov”, duke theksuar se projekti është tashmë në fazë planifikimi. Ai premtoi bashkëpunim të ngushtë mes komunës dhe qytetit për ta bërë realitet këtë projekt.

Sipas tij, bulevardi do të shtrihet e zgjerohet me standarde moderne, duke përfshirë hapësira të gjelbra, trotuare të gjera, shtigje për biçikleta dhe ndriçim bashkëkohor, duke u shndërruar në një nga arteriet kryesore të komunikacionit të Shkupit.

“Përveç këtij projekti madhor, së bashku me arkitektë të njohur nga vendi dhe jashtë, po hartojmë një masterplan të ri për Çairin, ku bulevardi ‘Cvetan Dimov’ është element kyç për zhvillimin urban të komunës”, deklaroi Mexhiti.

Ai kujtoi gjithashtu se vetëm gjatë 10 muajve të fundit, përmes angazhimit në Qeveri, janë siguruar fonde për projekte komunale dhe infrastrukturore në Çair, përfshirë 65 milionë euro për projekte të mëdha si parkimi nëntokësor te sheshi “Skenderbeu” dhe kampusi universitar “Nënë Tereza”.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit