29.8 C
Skopje
Wednesday, September 24, 2025

Mexhiti: Përkushtim i vazhdueshëm dhe projekte konkrete për zhvillimin e Dyqanxhikut dhe gjithë Çairit

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga VLEN, Izet Mexhiti, në
hapjen e Shtabit Lokal Zgjedhor në lagjen Dyqanxhik, theksoi
përkushtimin dhe projektet e ndërmarra në shërbim të zhvillimit të
Dyqanxhikut dhe të gjitha lagjeve të Çairit, si dhe rëndësinë e
dimensionit kombëtar në administrimin e komunës.

Gjatë fjalimit, Mexhiti theksoi se Dyqanxhiku është shndërruar në një
lagje tregtare, ku bizneset dhe familjet po përfitojnë nga investimet e
bëra bashkë me komunitetin. Ai përmendi projektet e realizuara për këtë
lagje dhe investimet tashmë të siguruara si:

•Ndryshimi i emrit dhe rinovimi i shkollës “Jashar Beu” dhe përgatitja e
hapësirës për sallë sportive.
•Legalizimi i objekteve dhe rëndësinë e rrugës së njohur si “Rruga e
Plastikave” për zhvillimin e biznesit dhe jetës së banorëve.
-Investim prej 2 milionë eurosh për infrastrukturën rrugore,
ujësjellësin, kanalizimin dhe rrjetin atmosferik të Dyqanxhikut, .
•Fillimi i ndërtimit të kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, i cili
do të përfundojë brenda dy viteve dhe do të jetë i qasshëm për rininë e
Dyqanxhikut dhe lagjeve përreth që do ta kenë vetëm 3-4 minuta afër këtë
objekt modern
•Realizimi i parkingut nëntokësor te Sheshi “Skënderbeu” (25 milionë
euro) dhe hapja e parkingut në afërsi Dyqanxhikut që nuk ka funksionuar
që 40 vite.

Mexhiti theksoi se banorët e Çairit për herë të parë po e ndjejnë
mbështetjen e fuqishme të Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale
dhe se investimet po shërbejnë për përmirësimin e standardit të jetesës
së banorëve.

Ai gjithashtu bëri apel që qytetarët të vlerësojnë punën e bërë gjatë
këtij viti dhe të mobilizohen për të mbështetur vazhdimin e zhvillimit
të komunës, duke i dhënë votën atij dhe koalicionit VLEN për të vulosur
fitoren që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 19 tetor.

Mexhiti nënvizoi poashtu rëndësinë e aspektit kombëtar, duke deklaruar:

“Unë mendoj dhe e them me shumë përgjegjësi që nuk ka asnjë komunë
tjetër shqiptare në Maqedoni që ka më shumë emra të historisë më të
lashtë prej periudhës ilire e deri te historia më e re. Nuk ka asnjë
komunë që ka më shumë emërtime shqipe të shkollave, çerdheve, të
institucioneve arsimore, institucioneve tjera të përgjithshme siç ka në
Çair. Kjo nuk ka ndodh rastësisht, këto i kemi bërë bashkë me ju, edhe
kur ka qenë e rëndë edhe kur ka qenë e lehtë, iu kemi dalë zot këtyre
çështjeve”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit