4.8 C
Skopje
Friday, November 28, 2025

Mexhiti përgënjeshtroi lajmet në rrjetet sociale për ndryshime të kuadrove të VLEN-it në thuajse të gjithë dikasteret

Disa grupacione të koalicionit VLEN nëpër rrjete sociale shpërndanë informacione të ndryshme për ndryshim të emrave thuajse në çdo dikaster që udhëheq VLEN. Kjo krijoi huti brenda simpatizantëve por edhe vet krerëve të partive brenda VLEN-it. U shpërndanë emra që deri tani fare nuk ishin në “lojë”. Por i pari i Çairit, Izet Mexhiti, hodhi poshtë spekulimet. Përpos Bekim Sali që është zyrtarizuar si kandidat për zv.kryeministër i parë, zyrtarizoi dhe emrin e Muhamed Hoxhës në pozitën e ministrit të Ekologjisë.

“Ajo që dihet është se Bekim Sali do të jetë zv.kryeministër i parë, duhet këto ditë të definohet cilin resor tjetër do e mbulon dhe ministër i ekologjisë do të jetë Muhamed Hoxha. Së shpejti sepse është interesi të ketë kontinuitet, të vazhdojë me punët që presin në resorë të ndryshme”, tha Izet Mexhiti – Kryetar i komunës së Çairit.

Gjithçka pritet të definohet në fillim të javës së ardhshme, kur Qeveria duhet të plotësojë vetëm vendet që mbetën vakante nga zgjedhjet lokale. VLENi nuk do të marrë resor shtesë.

“Së shpejti do të informoheni. Por përafërsisht ajo është çfarë e thash para pak ditësh. Ato resorë janë”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Pasi të kalojnë në Qeveri, deri në fund të javës, respektivisht para kongresit të VMRO-DPMNE-së, shumica parlamentare planifikon emrat e rinj t’i kalojë edhe në seancë kuvendore. Sipas informacioneve jozyrtare, ministri i eurointegrimeve Orhan Murtezani pritet të emërohet ambasador i NATO-s në Bruksel, e në vend të tij të vijë Arben Fetai. Bashkim Bakiu pritet të emërohet ministër i shëndetësisë e Azir Aliu të drejtojë Agjencinë e Komunikimeve Elektronike. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit