Zv/kryeministri Izet Mexhiti, duke komentuar deklaratën e kreut të ASH-së Arben Taravari se VLEN është projekt të cilit i skadon afati pas zgjedhjeve lokale, deklaroi se, fillimisht, Taravari si mjek ka dhënë betimin e Hipokratit që edhe nëse ka diagnozë e njëjta nuk duhet të jetë publike, por sipas tij ai e ka ngatërruar deklaratën e Hipokratit me të hipokritit.
“E ka keqpërdorur një çështje, edhe publikisht e tha diagnozën e Ahmetit që është psikopat, dhe sot i njëjti shkon dhe përqafohet me Ahmetin sikurse asgjë nuk ka ndodhur. Pra pas kësaj mendoj që është e tepërt të komentohen deklarata e Taravarit”, tha Mexhiti.
Mexhiti tha se nuk është për tu habitur nëse nesër del Taravari dhe thotë se nuk ka më të mirë se Mickoski, nuk ka më të mirë se VLEN e se Albini.
“Pas nesër mund të del i fotografuar me Edi Ramën e me dikë tjetër” shtoi Mexhiti.
Mexhiti tha se në takimin të cilin e përmend Taravari me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ata e kanë kuptuar se ai është shitur te BDI-ja.
“Në atë takim e kemi parë qartë, aty ka përfunduar takimi dhe i kemi thënë rruga e mbarë, mos na lodh me këto takime”, deklaroi Mexhiti.
Ai tha se Taravari është politikani më i pabesueshëm dhe më joserioz në skenën politike shqiptare.
“Përkundër asaj që partia kur është në qeveri fillon të tkurret, VLEN-i ka dhënë një provë tjetër që VLEN-i po zgjerohet me Lëvizjen Arbëria, me Orhanin me Bekimin, Meralen, VLEN po zgjerohet duke përkrahur kandidatura të pavarura në Strugë…”, deklaroi Mexhiti.