Në debatin e parë ballë për ballë me kundër kandidatin e tij nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, në emisionin “Top Tema” në Televizionin Tellma, kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, hodhi akuza të ashpra ndaj Osmanit, duke e quajtur “pa kredibilitet moral” për të folur mbi çështjen e ndërtimeve pa leje.
“Çështja e ndërtimeve pa leje nisi para fushatës, e dirigjuar nga Danella Arsovska, LEVICA dhe të tjerët, që synonin ta ndihmojnë kandidatin e tyre, në këtë rast Bujar Osmanin. Komuna e Çairit është e gjashta në Shkup për nga numri i ndërtimeve pa leje dhe ligji është respektuar deri në fund. Nuk ka legalizime të paligjshme në Çair, si në Saraj tek kolegu i tij. Hotele dhe apartamente ka në Vodno, jo në Çair, Bujari i ka ngatërruar gjërat,” deklaroi Mexhiti.
Mexhiti e akuzoi Osmanin për hipokrizi, duke thënë se vetë jeton në një ndërtim pa leje, ndërsa pretendon të flasë për legalizime e ndërtim të paligjshëm.
“Nëse qytetarëve me të ardhura të ulëta u kemi lejuar të ndërtojnë për nevoja jetike, Bujari, që ka qenë ministër gjithë këto vite, jeton vetë në ndërtim pa leje. Kur flet për korrupsion, ai është i fundit që mund të përmendë këtë temë, mori nofkën ‘Pacienti’ për aferën në gjinekologjinë e Çairit dhe si udhëheqës në OSBE për një ditë harxhoi një milion euro për vetura me qira,” theksoi Mexhiti.
Kandidati i VLEN-it i kërkoi Osmanit të tregojë moral politik dhe mos t’i ik përgjegjësisë. Mexhiti gjithashtu tha se nuk po flet për shtëpinë e babait të Osmanit në lagjen Serovë, por për atë në Fushë Topane që e ke ndërtuar vetë dhe e ke legalizuar për vetëm 1 euro. Mexhiti e pyeti direkt, a do të nisësh prej shtëpisë tënde t’i rrënosh ndërtimet pa leje?