Në deklaratë për Ora24.tv, Izet Mexhiti ka komentuar deklaratat e fundit rreth zgjedhjeve të parakohshme eventuale dhe takimit të liderëve. Lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat i provokoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, Mexhiti tha se qytetarët duan zgjidhje e jo zgjedhje,
“Motivi i tyre i rrejshëm për ta motivuar elektoratin, pra që të dalin në zgjedhje dhe të fitojnë komunat, se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe do të kthehen në qeveri, pra u shua dhe më shumë rrallë ose hiç nuk i përmendin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mendoj që qytetarët nuk kanë nevojë për telashe të reja, nuk kanë nevojë për zgjedhje të reja, por duhen zgjidhje të problemeve, realizim të projekteve, realizim të programeve, që ta ndiejnë dorën e qeverisë”, tha Mexhiti.
Lidhur me takimin e liderëve, për Ora24.tv ai tha se në demokraci këto lloj takimesh janë të mirëseardhura.
“Po, në një sistem demokratik janë të mirëseardhura takimet e liderëve, shpeshherë edhe pozitë–opozitë. Ka çështje që na bashkojnë, që janë çështje shtetërore, ku ka rolin e vet edhe opozita, kështu që e përshëndesim çdo iniciativë për takim”, tha Izet Mexhiti, njëri nga liderët e VLEN dhe kryetar i Komunës së Çairit.
Takimin e liderëve e paralajmëroi kryeministri dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili theksoi se do të propozoj të diskutohen çështjet më me prioritet për vendin./Ora24.tv



