Në hapjen e Shtabit të nëndegës Bajrush Baftijari në Fushë Topanë, kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti para qytetarëve prezantoi projektet konkrete që janë duke u realizuar dhe që kanë ndryshuar imazhin e gjithë komunës së Çairit.
Ai theksoi se vetëm në këtë perimetër ku u hap shtabi i Fushë Topanës janë mbi 3 milionë euro investime, duke përfshirë rekonstruktimin e rrugëve kryesore dhe lokale, përfshirë rrugën “Maksut Sadiku”, përfundimin e pishinës me investim prej 1 milionë eurosh, rikonstruimin e rrugës “Ferid Murati” një rrugë moderne me vendparkime. Ai mëtej përmendi edhe ndërtimin e Universitetit “Nënë Tereza”, projekt madhor që do të jetë afër banorëve të Çairit si dhe ndërtimin e çerdhes Borëbardha.
Më tej, Mexhiti shtoi se këto janë dëshmi të qarta se Çairi, për herë të parë, po e ndien fuqishëm mbështetjen e Qeverisë dhe po merr trajtën e një komune urbane të zhvilluar, duke prezantuar edhe programin për parkingjet, si një nga problemet më të mëdha të komunës që po përfshinë diku rreth 3 mijë vende të reja për parkim në mbarë Çairin, e mes tyre 400 vende në parkingun nëntokësor te Sheshi “Skënderbe”, 100 vende te Qendra Konservatore, 100 vende të reja në Fushë Topanë si dhe mundësia për të ndërtuar parkingje nën çerdhen e re në bashkëpunim me Bajram Vardar.
“Në 19 tetor qytetarët do ta kenë të lehtë, ose të votojnë për punë të kryera, ose për fjalë të zbrazëta. Çairi e ka treguar rrugën, VLEN është e ardhmja”, u shpreh mes tjerash Mexhiti para banorëve të Fushë Topanës.