Kandidati i VLEN për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka qëndruar dje në mesin e fëmijëve në lagjen Fushë Topanë, takim të cilin e ka cilësuar si “më të bukurin”.
Ai tha se zërat dhe lojërat e fëmijëve janë arsyeja më e madhe pse prindërit punojnë, sakrifikojnë dhe asnjëherë nuk dorëzohen, duke theksuar se pikërisht për ta po ndërtohen dhe rinovohen institucionet arsimore në Çair.
Mexhiti kujtoi se tashmë janë hapur çerdhe të reja për më të vegjlit, janë renovuar shkollat ekzistuese, si dhe po ndërtohen shkolla moderne, përfshirë edhe shkollën “Idnina” për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Çdo hap, çdo punë, çdo gur i vendosur në Çair është një premtim i mbajtur. Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë për fëmijët tanë, për të ardhmen e tyre dhe për gëzimin e çdo familjeje,” deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se si prind dhe si kryetar i ardhshëm i Çairit, do të punojë pa pushim që komuna të zhvillohet e të bëhet një vend më i mirë e më i dashur për të gjithë.