Kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë konferencës së sotme për media, ka prezantuar masat konkrete për përmirësimin e kushteve në arsimin fillor, me theks të veçantë tek barazia sociale, siguria dhe mbështetja për familjet. Ai me këtë rast ka theksuar se qeverisja e tij do të garantojë mundësi të barabarta për çdo fëmijë dhe do të ndërtojë një Çair të dinjitetit, kujdesit dhe solidaritetit.
Më posht keni fjalimin integral të Izet Mexhitit:
Të nderuar qytetarë, të respektuar prindër, mësues dhe nxënës, media,
Në Çair nuk ka dallime, ka mundësi për të gjithë.
Kjo është filozofia jonë e qeverisjes, vizioni ynë për një komunë që garanton barazi, dinjitet dhe mbështetje të barabartë për çdo familje.
Prandaj, në programin tonë për arsimin, kemi paraparë masa të qarta për të lehtësuar barrën e familjeve dhe për të siguruar kushte të barabarta për çdo fëmijë.
Në të gjitha shkollat fillore të komunës sonë, nxënësit do të kenë uniforma, të financuara plotësisht nga buxheti i Komunës së Çairit. Asnjë familje nuk do të ketë barrë shtesë. Me këtë synojmë të krijojmë mundësi të barabarta, dhe forcon ndjenjën e përkatësisë mes fëmijëve tanë.
Po ashtu, Komuna e Çairit do të mbulojë shujtat ditore për të gjithë nxënësit që vijnë nga familjet që përfitojnë mbështetje përmes ndihmës sociale. Askush nuk do të mbetet pas. Çdo fëmijë do të ketë kushte të denja për të mësuar, për t’u ushqyer dhe për t’u rritur me dinjitet.
Në të njëjtën kohë, do të forcojmë sigurinë nëpër shkolla, me masa të reja fizike dhe teknologjike, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet arsimore dhe prindërit. Sepse çdo prind duhet të jetë i qetë që fëmija i tij është i sigurt në shkollë.
Ky është Çairi që po ndërtojmë. Çairi i barazisë, kujdesit dhe solidaritetit. Një komunë që punon, ndan dhe kujdeset për të gjithë.
Një komunë që e kthen fjalën në vepra dhe e tregon përditë, se politika e mirë është ajo që përmirëson jetën e qytetarëve.
Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë. Dhe kur investojmë tek ata, investojmë në të ardhmen e Çairit.