Kandidati i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka njoftuar se është takuar me pronarët e bizneseve të vogla në rrugën “Cvetan Dimov” të cilëve u ka shpjeguar projektin për ndërtimin e këtij bulevardi.
“Bulevardi “Cvetan Dimov”, investim që do të sjell zhvillim dhe përparim për çdo qytetar të Çairit. Në lagjen Jahja Pashë u takova me qytetarët dhe pronarët e bizneseve të vogla, ku ua prezantova projektin e ndërtimit të bulevardit “Cvetan Dimov”. Ky është një projekt që do ta ndryshojë rrënjësisht pamjen e lagjes sonë, dhe do të hapë horizonte të reja për zhvillim ekonomik e shoqëror. Gjatë bashkëbisedimit, u shpalosa të gjitha beneficionet që do të sjellë ky investim: komunikacion më të shpejtë dhe më të sigurt, kushte më të mira për qarkullimin dhe shërbimet, më shumë klientelë dhe zhvillim për bizneset lokale, trotuare moderne, gjelbërim dhe hapësira publike për qytetarët. Përfituesit më të mëdhenj të këtij bulevardi do të jenë vetë banorët dhe bizneset e zonës. Për këtë arsye, kërkova përkrahjen dhe mirëkuptimin e banorëve, për gjatë kohës që ky investim do të realizohet.
U shpreha mirënjohje për mbështetjen e pakursyer të tyre, dhe u dhash fjalën se edhe tutje do të vazhdoj të punoj me përkushtim, për të sjellë ndryshime pozitive dhe zhvillim, për çdo familje dhe çdo biznes në Çair”, ka shkruar Mexhiti.