Kryetari në ardhje i Komunës së Çairit në Maqedoninë e Veriut, Izet Mexhiti, ka komentuar zhvillimet pas zgjedhjeve lokale dhe përplasjet brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.
Në emisionin “Këndi i debatit”, Mexhiti tha se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka dështuar me kandidaturën e Bujar Osmanit për Komunën e Çairit dhe se, sipas tij, me këtë rast e ka “djegur” edhe figurën e fundit të fortë politike që kishte në parti.
“BDI-ja nuk ka pasur kandidaturë tjetër përveç Bujarit. E kanë pasur në lojë, e provuan me të dhe dështuan. Aty e kanë djegur një figurë që ndoshta ishte lojtari i fundit. Edhe Ali Ahmeti nuk ka më lojtarë – edhe ata që i kishte, i ka djegur”, deklaroi Mexhiti.
Ai tha se kandidatura e Bujar Osmanit ishte e vetmja zyrtare nga BDI për këtë komunë dhe se gara për Çairin ishte e jashtëzakonshme, jo një betejë normale.
“Për hir të së vërtetës, kjo nuk ishte betejë normale – ishte e jashtëzakonshme. BDI-ja nuk ka pasur kandidaturë tjetër përveç Bujarit. E gjithë loja u bë rreth tij dhe me këtë rast humbën rëndë në Çair”, u shpreh ai.
I pyetur nëse do të ishte në garë në rast se Bujar Osmani nuk do të kandidonte, Mexhiti tha se qëllimi i tij ishte të hapte rrugë për figura të reja, përfshirë të rinj dhe gra.
“Mendoj që unë nuk do të isha në garë, sepse nuk jam për herë të parë kryetar i Çairit. Kam qenë tri mandate dhe atëherë mendova se duhet t’i hapim krahun një gjenerate të re. Bashkë me Visar Ganiun menduam të përkrahim një kandidate grua, ndoshta nga forumi rinor. Por kjo që ndodhi nuk ishte betejë e zakonshme”, theksoi ai.
Mexhiti gjithashtu la të kuptohet se Ali Ahmeti mund të ketë qëllimisht djegur figurat kryesore brenda partisë për të mos pasur konkurrencë të brendshme në lidership.
“Tash, a i ka djegur që të mos i mbetet askush përballë e t’ia kundërshtojë lidershipin – që të jetë përherë kryetar i partisë – apo është diçka tjetër, nuk e di. Por me këto zgjedhje në Çair, e ka djegur edhe lojtarin e fundit brenda BDI-së”, tha Mexhiti.