Mevlan Ademi: Dy parlamente studentore bashkohen për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe

Pas reagimit publik dhe kërkesës për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Universitetin “Nënë Tereza”, iniciativa ka marrë mbështetje të fuqishme edhe nga Universiteti i Evropës Juglindore.
Në një takim të zhvilluar mes kryesive të dy parlamenteve studentore, Parlamenti Studentor i UEJL-së ka konfirmuar bashkangjitjen e plotë në mobilizimin për protestën e paralajmëruar, duke e cilësuar kërkesën si legjitime dhe në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Kryetari i Parlamentit Studentor në UEJL, Besjan Rexhepi, ka shprehur përkrahje të parezervë për iniciativën, duke theksuar rëndësinë e unifikimit të zërit studentor në mbrojtje të të drejtave të garantuara me ligj.
Në reagimin e tij, Mevlan Ademi ka deklaruar:
“Pas Kuvendit Studentor në ‘Nënë Tereza’, kërkesës sonë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe i është bashkuar edhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Evropës Juglindore.
Gjatë takimit të zhvilluar dje mes kryesive të të dy parlamenteve studentore, kryetari i Parlamentit Studentor në UEJL, Besjan Rexhepi, shprehu përkrahje të parezervë për këtë iniciativë legjitime dhe konfirmoi bashkangjitjen e plotë në mobilizimin e studentëve për protestën që do të vijojë, si dhe për të gjitha iniciativat e diskutuara.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të zërit studentor në mbrojtje të të drejtës shqipe, e cila garantohet me ligj të posaçëm për përdorimin e gjuhëve.
Ne nuk kërkojmë shërbim, kërkojmë atë që na takon!”
Studentët theksojnë se kjo është një çështje e barazisë dhe respektimit të të drejtave ligjore, ndërsa paralajmërojnë hapa të mëtejmë nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh nga institucionet përkatëse.

https://www.facebook.com/share/1F49jKddnD/

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit