31.8 C
Skopje
Monday, September 22, 2025

Meri Peshevska dënohet me dy vjet burg me kusht në rastin “Onkologjia”

Dy vjet burg me kusht për mjeken Meri Peshevska në rastin “Onkologjia”, për veprën penale “vepra të rënda kundër shëndetit të njeriut”. Dënimi me burg nuk do të zbatohet nëse ajo nuk kryen vepër të re në pesë vitet e ardhshme. Gjykatësja e rastit, Snezhana Markovska, duke shpjeguar vendimin, deklaroi se mjekja e ka kryer veprën nga pakujdesia, ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur pendim.

“Këto veprime të të akuzuarës, përkatësisht neglizhenca, vënia në dispozicion e vulës katrore, emrit të përdoruesit dhe fjalëkalimin nga sistemi HIS i klinikës te një onkolog dhe radioterapist tjetër si mënyrë për të kryer veprën penale nga neglizhenca, gjykata i vlerëson si rrethanë lehtësuese. E akuzuara ndihet fajtore, është e vetëdijshme për pasojat e veprimeve, merr përgjegjësi personale për veprën për të cilën akuzohet, shpreh keqardhje, pendim dhe vetë-qortim”, tha Snezhana Markovska– gjykatëse.

Duke ia lënë vulën në dispozicion, Peshevska i ka mundësuar të akuzuarit të parë, mjekut dhe ish drejtorit të klinikës së Onkologjisë Nino Vasev, t’u shkruajë pacientëve terapi të papërshtatshme, gjë që e ka përkeqësuar ndjeshëm shëndetin e shtatë personave. Peshevska u deklarua fajtore në seancën e parë dëgjimore kurse në fjalët e saj përfundimtare tha se e kreu aktin nga pakujdesia, se u besonte kolegëve të saj dhe nuk dyshonte për qëllime të pandershme. Nino Vasev dhe dy onkologë të tjerë e kanë mohuar fajësinë në këtë rast kurse gjykimi kundër tyre vazhdon. Aktakuza i ngarkon mjekët me “vepra të rënda të vazhdueshme kundër shëndetit të njeriut” dhe “trajtim të pakujdesshëm”, me çrast te 29 pacientë është zbatuar terapi e papërshtatshme, me lëshime në dozë dhe pa vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore. Pasi Peshevska u deklarua fajtore, gjykata zhvilloi procedurë të veçantë për të kurse përveç dënimit me kusht të shpallur sot, mjekja është e detyruar të paguajë shpenzimet gjyqësore, ndërsa kërkesat pronësore-juridike të familjeve të pacientëve do të zgjidhen në procedurë civile.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit