Një gjykatë zvicerane ka dënuar një shtetas maqedonas 29-vjeçar me pesë vite burgim për një seri grabitjesh, por rrëfimi që ai dha para gjykatës ka lënë mbarë opinionin në shok.
Ai zbuloi se kishte kryer krime qëllimisht me qëllim që të arrestohej dhe kështu të çlirohej nga varësia e tij nga alkooli.
Sipas aktakuzës, para dy vitesh ai kreu disa grabitje në dyqanet “Volg” dhe në argjendtari, duke përvetësuar mijëra franga zvicerane. Përveç kësaj, gjykata e ngarkon atë edhe për sjellje të dhunshme dhe kërcënime ndaj zyrtarëve.
“Në periudhën kur kreu veprat, ai ishte një alkoolist i rëndë dhe dëshironte me vetëdije të përfundonte pas hekurave, duke menduar se burgu ishte e vetmja mënyrë për t’u shëruar nga varësia“, raportojnë mediat zvicerane.
Përveç dënimit me burg, gjykata e dënoi atë edhe me një gjobë prej 80,500 frangash zvicerane për dëmshpërblim dhe gjoba të tjera. Pas vuajtjes së dënimit, ai do të dëbohet nga Zvicra dhe do t’i ndalohet hyrja në vend për një periudhë dhjetëvjeçare.
Ky rast ka zgjuar vëmendje të madhe publike, pasi rrallëherë pritet që dikush të përdorë veprat penale si një “plan rikuperimi”. Kjo metodë e pazakontë e luftës kundër varësisë ka hapur debate se sa larg mund të shkojë një person për të gjetur rrugën e tij drejt shpëtimit.



