Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka njoftuar sot për një takim të rëndësishëm pune me Ambasadorin e Republikës së Çekisë, H.E. Jaroslav Ludva, i zhvilluar në ambientet e komunës.
Takimi u mbajt në një atmosferë miqësore e bashkëpunuese, ku u diskutuan ide dhe projekte që synojnë zhvillimin e mëtejshëm të Strugës. Ambasadori Ludva shprehu vlerësimin e tij të veçantë për qytetin, duke e cilësuar Strugën si një vend me rëndësi të madhe në përvojën e tij diplomatike. Ai theksoi gatishmërinë e plotë të Republikës së Çekisë për të forcuar bashkëpunimin në fusha kyçe si zhvillimi lokal, kultura, turizmi dhe shërbimet publike.
Një nga momentet kryesore ishte njoftimi për një donacion të ri të rëndësishëm që Ambasada e Çekisë do t’i ofrojë njërës prej spitaleve të Strugës — mbështetje që pritet të rrisë cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët. Ambasada e Çekisë prej vitesh është shembull për mbështetjen konkrete ndaj institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin.
Nga ana e tij, kryetari Mendi Qyra falënderoi ambasadorin për vizitën, për mbështetjen e vazhdueshme dhe për interesin e treguar ndaj Strugës. Ai përsëriti se dera e komunës mbetet gjithmonë e hapur për ide të reja dhe projekte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të qytetit.






