Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka theksuar se procesi i ndryshimeve në komunë ka nisur dhe tashmë është i dukshëm për qytetarët. Sipas tij, transformimi po zhvillohet hap pas hapi, me fokus në administratë dhe institucionet që janë në kompetencë të pushtetit lokal.
“Kemi thënë se duhet të ketë ndryshime dhe këto ndryshime kanë filluar të realizohen. Qytetarët tanë e ndiejnë dhe e shohin këtë proces”, deklaroi Qyra.
Ai bëri të ditur se puna ka filluar nga administrata komunale, ndërmarrjet publike dhe drejtuesit e shkollave, duke nënvizuar se këto sektorë përbëjnë shtyllën kryesore të funksionimit të komunës. Sipas tij, këto ndërhyrje kanë sjellë një frymë të re në menaxhim dhe qasje më efikase ndaj përgjegjësive institucionale.
Qyra pranoi se jo të gjitha ndryshimet në kuadrot drejtuese janë realizuar ende, për shkak të angazhimeve të shumta dhe proceseve të ndërlikuara administrative, por theksoi se ndryshimi është real dhe i prekshëm.
“Ndryshimi në administratë është i dukshëm dhe procesi do të vazhdojë edhe më tej”, u shpreh ai, duke shtuar se qytetarët shumë shpejt do të shohin rezultate konkrete nga këto reforma.
Kryetari i Strugës ritheksoi përkushtimin e tij për të çuar përpara ndryshime të qëndrueshme, të cilat synojnë përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve lokale.
https://www.facebook.com/share/r/1D7k3gXj25/



